TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Korrik 2024, 13:16

Guri i fundit i Macron për të mbajtur Le Pen jashtë pushtetit

Shkruar nga Lionel Laurent
Guri i fundit i Macron për të mbajtur Le Pen jashtë pushtetit
Emmanuel Macron /

Politikanë, zyrtarë dhe financierë të ndryshëm, thuhet se po lobojnë për krijimin e një qeverie alternative. Kërcimi drejt të panjohurës që përfaqëson Le Pen, i bën më se të vlefshme këto përpjekje. Por një koalicion i tillë i lëkundshëm sjell rreziqet e veta...

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, ka marrë këtë javë një qasje Trumpiane përpara raundit të dytë dhe të fundit të zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Ajo e ka akuzuar presidentin Emmanuel Macron se po përgatit një “grusht shteti administrativ” nëpërmjet emërimeve, të cilat do ta kufizonin aftësinë e partisë së saj për të qeverisur në rast se fiton shumicën.

Diskutimet mbi një grusht shteti janë absurde, megjithatë nënvizojnë ekzistencën e një sfide në rritje për shanset që ka Le Pen për të marrë pushtetin. Ajo dhe aleati i saj i qendrës së djathtë Eric Ciotti - i cili gjithashtu e sulmoi Macron duke thënë se po “e konfiskon demokracinë” -  janë duke i përgatitur ndjekësit e tyre për një zhgënjim të mundshëm, dhe për një betejë të gjatë kundër elitave.

Ndërkaq partitë e majta dhe të qendrës, po përpiqen të ndërtojnë një koalicion taktik të minutës së fundit, me synim tejkalimin edhe këtë herë të së djathtës ekstreme. Pas disa javësh përbaltje ndaj njëri-tjetrit, politikanët nga kampi qendror i Macron dhe aleanca e gjerë e majtë e Frontit të Ri Popullor, i kanë tërhequr kandidatët nga më shumë se 200 balotazhe për të shmangur ndarjen e votave në favor të Le Pen.

Tregjet financiare shpresojnë që numri përfundimtar i vendeve të partisë së Le Pen në parlamentin e ri, do të jetë shumë më poshtë se 289 që nevojiten për një shumicë absolute. Dhe është një bast i drejtë. Mendojeni pak si hedhjen e fundit të rrezikshme të zareve nga ana e Macron për të mbajtur jashtë pushtetit Tubimin Kombëtar.

Elitat pariziene, një lloj vije mbrojtëse e fundit për forcat pro-Macron, duket se janë zgjuar më në fund përballë rrezikut që paraqitin populistët e krahut të djathtë për financat publike të Francës, ndikimin e saj në Evropë, si dhe për vëllazërinë sociale.

Politikanë, zyrtarë dhe financierë të ndryshëm, thuhet se po lobojnë për krijimin e një qeverie alternative. Kërcimi drejt të panjohurës që përfaqëson Le Pen, i bën më se të vlefshme këto përpjekje. Por një koalicion i tillë i lëkundshëm sjell rreziqet e veta.

Ky është një territor shumë i ri për Republikën e Pestë. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, tha këtë javë për Bloomberg se ndërsa Italia ishte mësuar me qeveritë teknokratike, francezët do të donin të shihnin linja të vërteta politike.

Kjo shpjegon edhe arsyen pse një koalicion anti-Le Pen s’mund të bashkojë domosdoshmërisht rreth vetes 66 për qind të votuesve që nuk votuan për të:sepse do t’i vendoste centristët e Macron në të njëjtën aleancë me socialistët që kërkojnë shpenzime të mëdha, të Gjelbërit që janë kundër energjisë bërthamore dhe Republikanët kundër deficiteve të mëdha buxhetore.

Në këto kushte, shumë votues mund të vendosin të qëndrojnë në shtëpi. Dhe duke qenë se një koalicion kaq i tensionuar do të jetonte me një kohë të huazuar, momenti populist i Francës mund të vonohet por jo të anulohet për fare.

Le Pen do të përfitojë nga shansi për ta demonizuar pushtetin nga stolat e opozitës, ashtu siç babai i saj, mohues i Holokaustit, Jean-Marie, tallej me partitë e majta dhe të djathta në pushtet si të padallueshme (duke krijuar akronimin “UMPS” nga inicialet e tyre).

Madje privatisht , Le Pen dhe 28-vjeçari që është nr. 2 i partisë, Jordan Bardella, mund të jenë të lehtësuar nëse shmangin ngjitjen në qeveri. Sepse propozimet e tyre kontradiktore dhe të paqarta mbi atë që do të bënin sapo të ishin në pushtet, nuk kanë arritur të mbledhin peshë të madhe politike dhe ekonomike për kauzën e tyre.

E gjitha kjo shtron pyetjen:A është kjo vërtetë më e mirë se alternativa? Disa mund të argumentojnë se një koalicion i brishtë i establishmentit, të cilin votuesit nuk e kanë kërkuar dhe që nuk ekziston askund në hartën politike, do ta nxisë Le Pen të flasë akoma më shumë për një grusht shteti antidemokratik.

A nuk do të ishte më mirë të hiqnim ‘kordonin sanitar”, dhe të rrezikonim që e djathta ekstreme të vijë në pushtet? Tek e fundit, shumë parti populiste janë rrëzuar dhe djegur pasi e kanë shijuar pushtetin, nga Lëvizja Pesë Yjet në Itali tek Syriza në Greqi.

Unë nuk jam dhe aq i sigurt. Një parti e ekstremit të djathtë në sistemin e centralizuar francez, është një territor i pa eksploruar dhe mund të bëjë shumë dëme, nga ndërhyrja e mediave deri tek përplasjet fiskale me partnerët evropianë.

Profesor Ben Crum i Universitetit Vrije në Amsterdam, jep shembullin e partisë polake PiS, reformat e diskutueshme në gjyqësore të të cilës dhe përballjet me Brukselin mbi çështjet e sundimin e ligjit, shkaktuan plagë të thella. Ai shton se vonimi i ardhjes së Le Pen në pushtet, rrit gjithashtu shanset që liderë të tjerë të besueshëm të dalin në skenë, për ta mbushur boshllëkun e krijuar nga lëvizja qendrore tashmë e vyshkur e Macron.

Guri i fundit i Macron për të mbajtur Le Pen jashtë pushtetit

Me fjalë të tjera, nga hedhja e këtyre zareve mund të vijnë disa gjëra të mira. Por gjithçka varet nga vullneti i votuesve francezë për të lidhur preferencat e tyre me përfaqësuesit e zgjedhur. Nëse thirrjet për një front republikan do të rezultojnë të jenë thjesht një retorikë boshe, atëherë kriza e Francës do të jetë shumë më e thellë sesa e mendojmë./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”

guri i fundit macron le pen

Lini një Përgjigje