Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hequr mandatin Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, duke e shpallur të pavlefshëm.
Vendimi i KQZ për Belerin vjen pas dënimit të tij nga Apeli i Posaçëm me 2 vite burg për blerje votash.
Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Beleri nuk mund të ushtrojë funksionin e kryetarit të bashkisë së Himarës, e cila prej më shumë se 1 viti po drejtohet nga kryetarë të komanduar.
"Ligjit të dekriminalizimit i nënshtrohen më shumë ata persona që e kanë marrë këtë detyrë. Jo vetëm për rastin e Beleri, por për këdo rast të ngjashëm kam keqardhjen që për shkak të këtij ligji të humbasin mandatin apo funksionet publike, por në fund të fundit ky është ligji. Nuk jam në pozitën për të komentuar se si kemi ardhur në këtë situtatë, por situata kjo është. Ndaj Belerit ka një vendim të formës së prerë dhe ligji të ndalon të kandidosh e aq më shumë ta mbash atë funskion publik. Me bindje të plotë, mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë, zotit Fredi Beleri dhe shapllim të pavlefshëm këtë mandat.", tha Celibashi.
Beleri i pranishëm në mbledhje akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërkon që të mos e shkarkojë vetë, por të nxjerrë ‘gështenjat nga zjarri’ me duart e KQZ-së.
'Nuk ka bazë ligjore për shqyrtimin e sotme, dikush do të nxjerrë gështenjën nga zjarri me duart e KQZ. Të gjithë institucionet janë bërë pjesë e padrejtësive që më janë bërë mua. Siç erdha sot këtu, mund të kisha shkuar në Himarë të betohem.
Unë duhet të betohem jo të më shkarkojnë, jam i qartë që mandati im ka mbaruar. Duket arroganca e tyre, duan të bëjnë zgjedhje në mes të gushtit kur gjithë bota bën pushime dhe në Himarë bëjnë të ardhura për të gjithë vitin. Pse KQZ duhet t’i bashkohet kësaj. Kanë frikë se do shkojnë në burg. Kryetari në detyrë dhe gjysma e zyrtarëve të bashkisë janë subjekt i SPAK.', tha Beleri në KQZ.
Tashmë Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Beleri, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 2023, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin duke lënë në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Pas vendimit të KQZ, do të jetë Presidenti Bajram Begaj që do të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës./ Pamfleti
Lini një Përgjigje