TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2026, 19:49

“Grupi është kthyer në zyrë njoftimi, jo mendimi”, Braçe flet hapur: Në PS është shuar debati

Shkruar nga Pamfleti
“Grupi është kthyer në zyrë njoftimi, jo
Erion Braçe

“Debati brenda PS duhet të ketë kuptim”, Erion Braçe flet për përplasjet në parti

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur lidhur me situatën dhe debatet brenda PS-së.

Gjatë fjalës së tij, Braçe u shpreh se është normale që të ketë debate që lidhen me mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

Sipas tij këto debate nuk shkaktojnë dhe nuk duhet të shkaktojnë asnjë shqetësim. Ai u shpreh se prej kohësh në grupin e PS nuk bëhen më diskutime, por ligjet thjesht sillen sa për sy e faqe.

Të flasësh edhe të bësh debat brenda Partisë Socialiste është një gjë normale. Duhet të jetë normale edhe pse ka kohë që debati i qënësishëm, debati me thelb, debati për problematika që lidhen drejtpërdrejtë me mënyrën se si ne ushtrojmë pushtetin apo me politikat që ne ndërmarrim sa kohë që jemi në pushtet, nuk bëhet, që ta themi siç është gjëja.

Ne edhe për buxhetin e shtetit e mbyllim mbledhjen e grupit duke thënë që ky është buxheti, nuk ka ndryshime në të, vazhdojmë ecim përpara. Domethënë ka kohë që grupi është për t’u njoftuar, jo për të menduar.

Kështu që të ndodhi që flet dikush, flet dikush tjetër, flet dikush tjetër. Debatohet rreth asaj që flitet e kështu me radhë, natyrisht që është e shëndetshme. Nuk është një gjë që shkakton shqetësim apo duhet të shkaktojë shqetësim. Jo, është krejt normale, duhet të ndodhë, duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të jetë e qëndrueshme dhe natyrisht duhet të ketë produkt në fund fare”, tha ai.

Braçe vlerësoi punën e bërë për integrimin në BE, por sipas tij, nuk mund të lihen pas dore problemet e tjera.

Partia Socialiste, por edhe grupi parlamentar po bëjnë mirë një gjë, që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka shumë mund, ka shumë sakrificë, ka shumë përkushtim, ka shumë vëmendje aty. Po kjo nuk do të thotë që të lihen pas problematikat që janë themelore siç janë çështjet ekonomike, çështjet sociale, çështjet e tatimit, çështjet e mëdhaja të pabarazisë”, tha ai në "Euronews Albania".

I pyetur nëse Rama do ta përjashtojë Spiropalin nga grupi, Braçe u përgjigj se ky është një vendim që e merr partia dhe jo individi.

Personalizimin e pushtetit e vuan edhe qeverisja, edhe ne si deputetë, ministrokracionë dhe drejtokracinë e vuajmë edhe ne si deputetë. Është pabarazi mes atyre që janë edhe deputetë, edhe ministra dhe kanë gjithë hierarkinë e shtetit me vete. Çfarë problemi ka të flasësh për këtë? Ndoshta është marrëdhënie personale mes të dyve, nëse zonja e pranon, por ne të gjithë jemi investim i PS, të gjithë jemi deficitarë ndaj PS, ka dhënë më shumë PS ndaj nesh se ne. Unë po flas për debat brenda PS, këto nga jashtë nuk më duhen… Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë, se nuk është sakrilegj të pranosh kritika për pushtetin… Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, tha Braçe.

Braçe ka shfaqur ambicien për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe ka shtuar dozën e kritikave prej disa muajsh. Nga ana tjetër edhe Elisa Spiropali nuk ka kursyer kritikat, por reagimet e saj kanë qenë më të kufizuara. Rama e ka paralajmëruar se do ta përjashtojë nga grupi nëse flet. Spiropali e sfidoi drejtpërdrejt në rrjetet sociale. Deri më sot nuk ka pasur asnjë zhvillim.

 

ps brace

1 Komente

  1. S
    Sotiri

    Pinxho gishti arriti të kuptojë mbas 20 e kusur viteve që është shuar debati në PS.

    Lini një Përgjigje