Gjatë protestës së Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, kryetarja e degës nr. 9 në Tiranë, Eda Grimci, mbajti një fjalim të fortë, duke u bërë thirrje qytetarëve për reagim dhe pjesëmarrje aktive kundër asaj që ajo e cilësoi si padrejtësi dhe largim masiv të të rinjve nga vendi.
Në fjalën e saj, Grimci e cilësoi protestën si një zë qytetarësh të zhgënjyer dhe të lodhur nga situata aktuale, ndërsa theksoi se pjesëmarrja në tubim kërkon guxim.
“Të dashur qytetarë, që keni guximin të jeni sot këtu. Të dashura nëna, motra, prindër, të rinj të këtij vendi. Ky nuk është një fjalim, është një thirrje për çdo shqiptar. Një thirrje për ty që je lodhur nga mashtrimi dhe propaganda, për ty që ke heshtur shumë gjatë, por sot po paguan heshtjen”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se qytetarët e pranishëm në protestë përfaqësojnë një zë më të gjerë shoqëror.
“Ju që jeni sot këtu, jeni zëri i atyre që nuk flasin dot. Jeni forca e atyre që janë të lodhur, por nuk dorëzohen. Jeni jehona e një populli të vjedhur dhe të tallur. Ky që shihni nuk është turmë, kjo është ndërgjegje”, deklaroi Grimci.
Në vijim, ajo u ndal te fenomeni i emigracionit, duke iu drejtuar veçanërisht prindërve dhe të rinjve.
“Mos ikni nga ky vend me valixhe në duar e me dhimbje në zemër. Kjo nuk është mundësi. Kjo është tragjedi, ky është shpopullim, kjo është vrasje e të ardhmes”, tha ajo.
Grimci bëri thirrje edhe ndaj prindërve dhe familjeve që, sipas saj, përballen çdo ditë me pasojat e emigracionit.
“Çohuni për fëmijët tuaj, mos lejoni t’ua largojnë. Mos i lejoni më t’ju poshtërojnë, reagoni kundër hajdutëve, mos i votoni më”, u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, ajo theksoi se ndryshimi varet nga reagimi i qytetarëve dhe përfshirja aktive në jetën publike.
“Mjaft më me nënshtrim dhe frikë, sepse nga sot, këta duhet të kenë frikë nga ju. Kanë frikë nga ty, nga zëri jot, nga qëndresa jote”, deklaroi Grimci para protestuesve.
Lini një Përgjigje