Sali Berisha ka mbetur i vetëm në garën për kryetar të PD-së, pasi kandidaturat rivale të Mereme Selas dhe Vladimir Mulajt nuk arritën të kalojnë ‘filtrat’ e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Një ditë pasi Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, deklaroi se Sela plotësonte kriteret, dhe mjekja që militon në Partinë Demokratike prej 12 vitesh, u shfaq në emisionet televizive që kandidatura që do të rivalizonte Berishën, në rrjetet sociale u prodhuan me qindra meme që e konsideronin si qesharake garën që do të mbahej në PD.
Por duket se Komisioni i verifikimit të kandidaturave të pranuara ka vendosur që për postin e kreut të PD-së të garonte vetëm Berisha, duke zgjedhur kështu që mes një procesi që mund të prodhonte pafundësisht memesh dhe atij me 1 kandidat, të vendosej për këtë të fundit.
KOKOE në mënyrë unanime vlerëson se Mereme Sela nuk plotësonte kriteret. Më konkretisht ajo nuk plotësonte kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiecës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal.
Për të njëjtat arsye KOKOE vendosi të përjashtojë nga gara edhe Vladimir Mulajn.
Në vendimin e KOKOE gjithashtu thuhet se kërkesa për të qenë kandidatë janë paraqitur edhe nga subjekte të tjera, si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, të cilat nuk janë marrë as në shqyrtim. Të gjithë këta, sipas KOKOE, nuk plotësojnë kriterin e të qenit anëtar të PD-së, pavarësisht se Salianji ka qenë edhe anëtar i Kryesisë dhe ish-deputet, ndërsa Kokalari ishte një nga anëtaret e Komisionit të Rithemelimit të PD-së.
Lini një Përgjigje