Sali Berisha mbetet i vetëm në garë për drejtimin e Partisë Demokratike.
Dy pretendentët për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj, nuk janë kualifikuar si kandidatë pasi nuk plotësonin kriteret.
Tani i vetmi në garë është Sali Berisha, që sipas komisionit plotëson të gjitha kriteret statutore.
Të dy, Sela dhe Mulaj, pavarësisht se janë anëtare të PD, nuk plotësojnë kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiencës drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.
Një ditë më parë, për garën aplikoi edhe ish-deputeti i PD, Ervin Salianji dhe aktivistja Evi Kokalari, por kandidaturat e tyre nuk janë pranuar nga komisioni, me arsyetimin se nuk janë bërë nga anëtarë të PD.

Si zgjidhet kryetari i PD?
Në datën 17 mars kryesia e Partisë Demokratike vendosi që zgjedhjet për kryetarin e PD të zhvillohen në datë 23 maj.
Ambicien për të kandiduar për kryetarin e PD e ka shprehu edhe ish-deputeti Ervin Salianji, por PD ka deklaruar se ai është përjashtuar nga partia duke bërë të qartë se nuk ka të drejtë të kandidojë.
Në këtë situatë duket se në 23 maj i vetmi kandidat do te jetë Sali Berisha, i cili do të kërkojë besimin e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.
Sali Berisha ka dominuar Partinë Demokratike prej krijimit të saj, në dhjetorin e vitit 1990. Ai u zgjodh kryetari i PD në vitin 1991 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1992 kur u bë Presidenti i Shqipërisë.
Berisha u rikthye në krye të PD në vitin 1997 dhe e drejtoi këtë parti deri në vitin 2013 kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në shtatorin e vitit 2021 Berisha nisi lëvizjen “Foltorja” pasi Lulzim Basha asokohe kryetar i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar. Në dhjetorin e vitit 2021 demokratët shkarkuan Lulzim Bashën dhe në 22 majin e vitit 2022 Sali Berisha u zgjodh kryetar i PD.
Sa qejf. Kështu ky kalorës i maleve po i garanton Papaxhanit sundim të sigurtë të paktën sa të ketë frymë.