TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Maj 2026, 16:22

“Standard mizerabël”, Salianji e prek Berishën në sedër: Ke humbur burrërinë, PD po shuhet

Shkruar nga Pamfleti
“Standard mizerabël”, Salianji e prek Berishën në
Salianji e Berisha

Deklarata e Salianjit është në vazhdën e një serie reagimesh nga ish-deputeti, të cilit iu ndalua të kandidojë për kryetar të PD-së, bashkë me disa emra të tjerë që kishin deklaruar se do të sfidonin Berishën...

Ervin Salianji, të cilit iu refuzua kandidatura për kreun e PD-së, ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës dhe rrethin e tij që ka drejtimin e partisë më të madhe opozitare.

Salianji e konsideron si standard mizerabël mënyrën se si Berisha po trajton Partinë Demokratike, madje thekson se ish-Kryeministri ka humbur edhe burrërinë.

Berisha është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën. Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu”, thekson Salianji në reagimin e tij.

Në vijim, ish-deputeti, për të cilin Berisha thotë se është vetëpërjashtuar nga PD-ja, shprehet se “Saliu dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të”.

Në reagimin e tij, Salianji shprehet se Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, pasi ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh.

Deklarata e Salianjit është në vazhdën e një serie reagimesh nga ish-deputeti, të cilit iu ndalua të kandidojë për kryetar të PD-së, bashkë me disa emra të tjerë që kishin deklaruar se do të sfidonin Berishën.

Selia blu nuk ka dhënë ndonjë arsye sepse Salianji nuk lejohet të kandidojë, përtej deklaratave publike nga Sali Berisha dhe Flamur Noka se ai është një i vetëpërjashtuar nga PD, pasi ka shkelur vijat e kuqe duke bashkëpunuar me elementë kriminalë, që i kanë mbushur sallat në takimet që ai nisi në bazën e partisë me demokratët.

Por jo vetëm kaq! Berisha përjashtoi nga PD çdo anëtar apo funksionar lokal që u shfaq në takimet e Salianjit, disa si bashkëpunëtorë me "krimin" dhe disa se kishin punuar kundër në fushatën e fundit elektorale. 

Ajo që Berisha duket se nuk i ka falur Salianjit, i cili u burgos me akuzën e shpifjes në rastin e dosjes "Babalja", janë zhvillimet në 8 janar 2022, kur demokratët u përplasën dhunshëm mes tyre, njëra palë duke mbrojtur selinë e PD dhe tjetra që synonte ta merrte atë. Në atë kohë Salianji ishte mes atyre që mbronin selinë, ndërsa Berisha udhëhiqte një turmë që synonte marrjen e saj.

Reagimi i plotë:

Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.

Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.

Ai dhe rrethi që i kacavirret abuzon me besnikërinë dhe vlerat e demokratëve, duke i vendosur përballë një presioni moral: të heshtin “për respekt të moshës”, të heshtin përballë “ndereve që i janë bërë”, të heshtin para shuarjes së PD për shkak të lidhjes me të.

Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?

Dhe pyetja më e rëndësishme: si do të fitojë Partia Demokratike?

Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.

Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.

Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.

Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.

Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.

Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.

Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.

Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!

PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.

Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.

Koha thërret demokratët të mos heshtin.

 

berisha salianji pd

5 Komente

  1. G
    Genci

    Ate bishtin e drurit a Lopates Salianji ta mbaj per vete se i doli demokrateve si gango apo e harroj dhunen ndaj Partise se vete o Shoku Bashes. Duhet te mbjellesh fare te mire pa urrejtje qe te korresh vlera te mira.Ti je shume i urryer Je shume negative ke vepruar kunder Pd Bisht miu do ngelesh

    1. T
      Tony

      Me sa di une ne te gjithe boten perendimore, kush ka bere burg nuk ka te drejte te zgjidhet ne Parlament.

      1. R
        Romeo juristi i njohur

        O Salianj, Saliu është funderrine, por ti je i dënuar! Se paskesh plasur të bësh Burg, per të kandiduar per Kryetar! Ti as Kryetar i FRPDse nuk u bëre dot! Të shkojë Murrizi, ose ndonjë tjerër por jo Ti! Merr Deshmine e Penalitetit, pastaj kerko ndonjë post. Merr shkopin e bejsbollit dhe lufto... Hahahaha

        1. p
          poshte komunizmi

          ai ska pasur kurre burreri, Enveri po, Enveri thoshte mos me shaj se do te fus ne burg ok dhe e bente, kurse sllavo komunisti SB thot diten me shani sa te doni liri- demokraci, kurse naten te vinte bomben ne makine ose trushplaret e tij me shkopinj hekuri

          1. L
            LIRIA

            Duhet ta dije , se burrat e VICIDOLLIT, keshtu e kane, sidomos ky, qe ka rrenje Serbi.

            Lini një Përgjigje