
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përmes një postimi në "Facebook", shprehet se për shkak të politikave të qeverisë fshati po vdes.
Sipas saj, arsyeja kryesore lidhet me marrëveshjet që bëjnë grumbulluesit. Tabaku shprehet se gjithmonë, shumica vuan dhe pakica përfiton dhe se fshati po vdes prej politikave të qeverisë.
Tabaku thotë se kjo gjendje e fshatit reflektohet çdo ditë në tokat që mbillen, por edhe në numrin e krerëve të bagëtive që sa vjen dhe po bie.
Tabaku thekson se faktor i gjendjes ku sot ndodhet fshati është edhe heqja e rimbursimit të TVSH për fermerët, por edhe zhvlerësimi i euros, që ka bërë që produktet e importuara të shiten më lirë se ato vendase.
“Kush bën pazar e shikon që të gjitha çmimet janë rritur. Frutat, perimet sot kushtojnë më shtrenjtë. Pse kushtojnë më shtrenjtë? Megjithëse kemi 20% të ekonomisë sonë që vjen nga fshati. Sot, fatkeqësisht fshati po vdes! Kjo reflektohet çdo ditë; në tokat e punuara dhe të mbjella, në numrin e krerëve që kanë rënë me 25%, në prodhimet që nxjerr sot fshati. 20% e importeve është rritur me produkte bujqësore ndërsa 8% kanë rënë eksportet. Pse ndodh kjo? Për një arsye shumë të thjeshtë; politikat e qeverisë.
Së pari, kanë hequr TVSH dhe rimbursimin e TVSH për fermerët dhe ka sjellë një rritje me 20% të gjithë çmimeve. Prandaj protestojnë sot fermerët që derdhin qumështin në Fier, Lushnje e Gjirokastër.
Së dyti, 25% është zhvlerësuar euro dhe kjo ka bërë që produktet që vijnë nga jashtë të shiten më lirë se ato që prodhohen në vend. Toka e bekuar shqiptare me produkte Made in Albania fatkeqësisht nuk ia del me këto çmime”, shprehet Tabaku.
Lini një Përgjigje