
Një prej 19 deputetëve të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, Luan Baçi, ka deklaruar se kjo është mënyra se si mazhoranca ka vendosur të përballet me opozitën.
Baçi ka thënë se deputetët e përjashtuar nuk kryen asnjë veprim që cenon mbarëvajtjen e seancës.
Sipas tij mazhoranca nuk u ndje në asnjë moment e kërcënuar dhe ishte tepër e qartë që deputetët e opozitës u treguan të qetë.
“U vërtetua që kjo është metoda e tyre. Ata gjithmonë synojnë që të përjashtojnë deputetët nga Kuvendi”, tha Luan Baçi.
Sipas Baçit vendimi për përjashtimin e deputetëve është në shkelje të rregullores.
Ai ka sqaruar se Komisioni i Etikës duhet të ishte mbledhur 48 orë pas ngjarjes, ndërkohë që e vërteta është se u mblodh 4 ditë pas saj.
“Komisioni i Etikës duhet të mblidhet brenda 48 orëve nga momenti që ndodh një ngjarje. Vendimi u dha 4 ditë më vonë. Komisioni duhet të thërrasë deputetët dhe të ballafaqohet me ta. Komisioni e dha vendimin pa na thirrur dhe pa u ballafaquar me ne”, ka thënë Baçi në një intervistë për Fax News.
Lini një Përgjigje