
Gazment Bardhi ka reaguar pas përfshirjes në publikimin e 30 emrave të cilët firmosën kërkesën në Gjykatë Kushtetuese për të shpëtuar Sali Berishën nga arrestimi.
Ai është justifikuar duke thënë se kërkesa nuk është as pro as kundër arrestit, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin 73 të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetit.
Ai shkruan se qëndrimi i grupit parlamentar të PD se prokuroria në rastin e masave shtrënguese ndaj një deputeti duhet të marrë autorizim nga Kuvendi, pavarësisht cili është deputeti për të cilin paraqitet kërkesa, është një qëndrim publik që nga data 23 Tetor 2023.
“Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese nuk është as pro as kundër asnjë arresti, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin 73 të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetit. Kuvendi ka vendosur një standard në rastin “Tahiri”, standard që aplikuar ndryshe nga prokuroria në rastin “Berisha”.
Për të qartësuar përfundimisht këtë çështje dhe për të vendosur se cili është standardi i duhur kushtetues, grupi parlamentar i ka kërkuar interpretim Gjykatës Kushtetuese për nenin 73 të Kushtetutës.
Që Gjykata Kushtetuese të ketë kompetencë interpretimi, duhet domosdoshmërisht një konflikt apo çështje konkrete, ndryshe Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për interpretim e dispozitës kushtetuese.
Qëndrimi i grupit parlamentar të PD se prokuroria në rastin e masave shtrënguese ndaj një deputeti duhet të marrë autorizim nga Kuvendi, pavarësisht cili është deputeti për të cilin paraqitet kërkesa, është një qëndrim publik që nga data 23 Tetor 2023.
Ky qëndrim bazohet në standardin që vetë Kuvendi ka aplikuar në të shkuarën. Sikurse po ashtu publik është qëndrimi ynë se mbështesim barazinë para ligjit të cilitdo dhe se jemi pro që deputet duhet të ketë zero imunitet. Për këtë duhet ndryshim i Kushtetutës, e cila pa u ndryshuar duhet të respektohet”, u shpreh Bardhi.
Lini një Përgjigje