Ditën e sotme për 24 orë rresht do të mbahet mocioni për debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen e bujshme të ish agjentit të FBI, McGonigal.
Grupi parlamentar i PS do të ketë 750 minuta në dispozicion, 350 minuta do jenë për PD, 70 minuta për grupin parlamentar ‘Aleanca për ndryshim’, 80 minuta për ‘Drejtësi dhe Integrim’, 30 minuta për Partinë e Lirisë dhe e njëjta kohë do të jetë në dispozicion për deputetët e PSD.
Ndërsa 9 deputetë të Rithemelimit do të kenë 10 minuta kohë për të folur.
Në sallën e seancës plenare sot pritet të rikthehen Sali Berisha me një grup të deputetëve të Rithemelimit, të cilëve u ka përfunduar afati i përjashtimit për shkak të seancave të shkuara kaotike.
Por në Kuvend do të mungojnë 4 deputetë, Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti dhe Oerd Bylykbashi që seancën e 16 shkurtit përfunduan deri në shkuljen e mikrofonit të foltores, që nga ministrja Elisa Spiropali u komentua me këtë ironi.
Opozita ka refuzuar më herët zhvillimin e interpelancës për ish-agjentin e FBI që kryeministri Rama ia delegoi ministres Spiropali dhe paralelisht po kërkojnë edhe ngritjen e një komisioni hetimor.
Në seancat e fundit kaotike opozita ka kërkuar prezencën e kreut të qeverisë, i cili pritet t’u japë përgjigje sot në këtë seancë që socialistët kanë paralajmëruar se do të nxjerrë në pah të vërteta të mëdha.
Minutazhi për diskutimet:
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste 750 minuta
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike 350 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 70 minuta
Grupi parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” 80 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare:
Partia e Lirisë 30 minuta
PSD 30 minuta
Sali Berisha 10 minuta
Albana Vokshi 10 minuta
Edmond Spaho 10 minuta
Flamur Noka 10 minuta
Luan Baçi 10 minuta
Oerd Bylykbashi 10 minuta
Tritan Shehu 10 minuta
Belind Këlliçi 10 minuta
Agron Shehaj 10 minuta
Çështja Mc Gonigal dhe lidhjet me kryeministrin Rama
Kryeministri Edi Rama ka shmangur prej javësh një interpelancë të thirrur nga deputetë të opozitës, e cila e akuzon atë të jetë përfshirë në afera më ish zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, i vënë nën akuzë ndër të tjera dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë shqiptarë apo dhe të shteteve të tjera dhe se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare.
Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë në vitin 2017 një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Po në vjeshtën e atij viti, ai realizoi disa vizita në Shqipëri, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës, për të cilin zoti Rama ka pranuar se ka punuar pranë tij për një farë kohe, pa pagesë. Ndërsa për Nezën ka deklaruar se e ka njohur gjatë takimeve me ish zyrtarin e FBI-së.
Kryeministri nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, sikundër nuk ka shpjeguar se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e ka marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.
Lini një Përgjigje