
Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar zyrtarisht KQZ-së kërkesën për zëvendësimin e deputetit Ervin Salianji dhe dhënien e mandatit të tij ndaj pasuesit në listën shumë emërore të zgjedhjeve të kaluara.
Në letrën e firmosur nga Genc Gjoncaj sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, vihet në dijeni Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se për shkak të dënimit të Apelit, Ervin Salianji ka humbur mandatin e deputetit.
Ish-deputetit të PD-së Salianji iu ndërpre mandati pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit heqje lirie për dosjen "Babale".
Ndërkohë, Kuvendi kërkon që KQZ të vijojë me plotësimin e vendit vakat që është krijuar.
“I nderuar Z. Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit të mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salianji, për shkak të dënimit të tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, njoftuar në seancën plenare të datës 30.9.2024.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës”, thuhet në shkresën e Kuvendit.

Kush pritet të marrë mandatin e deputetit?
Andrea Mano pritet të marrë mandatin e deputetit, pasi Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg për dosjen “Babale”.
Mano do të marrë vendin e Salianjit në Parlament, pasi ky i fundit tashmë e ka humbur mandatin, bazuar në nenin 71.1 të Kushtetutës.
Ky nen përcakton qartë se deputeti e humb mandatin, kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, si në rastin e Salianjit.
Ndërkohë, sipas ligjit të dekriminalizimit, Salianjit i ndalohet të rikandidojë në zgjedhje për të paktën 5 vite.
Lini një Përgjigje