
Në protestën e radhës të opozitës në Tiranë, ishte i pranishëm edhe politologu Ermal Hasimja. Ai mbajti një fjalim me tone thirrëse për bashkim qytetar, zgjedhje të lira dhe mbështetje për drejtësinë.
Ai kërkoi mbrojtje për gjyqtarët dhe prokurorët që, sipas tij, “i nxorën bojën të pandershmëve”, ndërsa theksoi se ndryshimi nuk vjen “as nga qielli dhe as përtej detit”, por nga angazhimi i vetë qytetarëve.
Në fjalën e tij, Hasimja solli edhe një kujtim personal nga fillimi i viteve ’90.
“Rreth tre dekada më parë kam qenë bashkë me tim atë. Isha 15 vjeç dhe ai më tërhiqte përpara, kishte stampisët me qen, autobotët me bojën e kuqe. Kishim shumë frikë, por shumë më tepër shpresë. Nuk njihnim njeri, nuk e dinim kush ishte i majtë apo i djathtë, nga fshati apo nga qyteti. Një gjë dinim: donim një gjë. Na mbante shpresa. Ajo shpresë që janë përpjekur të na e venisin. Sot kemi nevojë për frymë bashkimi. Duam një drejtësi të pavarur që të na mbrojë. Duam zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qytetarë të Tiranës, shpresa nuk vjen nga qielli, as përtej detit. Ejani dhe krijojeni shpresën në këtë shesh”, tha ai.
Ai theksoi se angazhimi qytetar është i domosdoshëm jo vetëm për të larguar qeverinë aktuale, por edhe për të vendosur standard për çdo qeveri që do të vijë në të ardhmen.
“Jo vetëm për të dëbuar qeverinë, por edhe për t’i treguar forcën tuaj çdo qeverie që do të vijë. Njerëz të lirë të këtij vendi, sidomos ju intelektualë, asnjë ndryshim nuk vjen nga kafetë, ejani këtu. Nëse mendoni se politika është e pistë, keni të drejtë, sepse të ndershmit largohen dhe i hapin rrugë të pandershmëve. Ndryshimi kërkon sakrificë. Nëse nuk ju pëlqejnë ata që janë këtu, hajdeni dhe bëni partinë tuaj. Edhe nëse bëhen 100 parti, partia e shqiptarëve është shqiptaria”, shtoi ai.
Hasimja u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për “kushtin minimal”, që sipas tij janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe për mbështetjen e drejtësisë.
“Jeni të zhgënjyer nga politikanët, por para se të vendosni, bashkohuni me ne për kushtin minimal: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkohuni me ne për ata gjyqtarë dhe prokurorë që i nxorën bojën të pandershmëve. Ata shpresojnë që ne të mendojmë se ky vend nuk bëhet më, që të bëjmë gati valixhet dhe të ikim. Synojnë të vrasin shpresën. Por ka ende shpresë”, vijoi ai.
Në fund të fjalës së tij, ai iu drejtua edhe efektivëve të policisë të pranishëm në terren, duke theksuar se ata janë “si ne, njerëz të lirë të këtij vendi”, dhe bëri thirrje për unitet dhe besim mes qytetarëve.
Lini një Përgjigje