
Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë nisi me fjalën e aktores së njohur Rajmonda Bulku, e cila kujtoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit.
Teksa në shesh janë mbledhur mbështetës dhe simpatizantë të opozitës nga e gjithë vendi, Bulku kujtoi 20 shkurtin e vitit 1991 dhe grevën e studentëve, duke e cilësuar atë si një moment kyç në rrëzimin e regjimit komunist.
“Ju falënderoj që sot doni një fjalë edhe nga unë, të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë të bashkangjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Me ta, nuk patëm frikë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar se kishte Partinë Komuniste në krye", u shpreh ajo.
Aktorja theksoi se në atë periudhë mbizotëronte një frymë bashkimi dhe guximi përballë një sistemi që, sipas saj, kishte mohuar liritë për vite me radhë.
“Kishim një frymë të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse deshëm lirinë, deshëm të rrëzonim sistemin që na kishte zaptuar dhe marrë lirinë tonë për shumë vite,” deklaroi Bulku.
Në vijim, ajo bëri thirrje që ajo frymë të rikthehet edhe sot. “Dua të kujtoj atë frymë që ta sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për jetët tona, fëmijët e nipërit tanë, të jetojnë më mirë në vendin e tyre sepse u takon. Të mos e braktisin këtë vend të bekuar. Zoti e ka bekuar Shqipërinë dhe bekoftë edhe shqiptarët,” përfundoi aktorja.
Protesta vijon me pjesëmarrje të gjerë, ndërsa organizatorët theksojnë nevojën për ndryshim, bashkim dhe angazhim qytetar.
Lini një Përgjigje