
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ka kritikuar ashpër sistemin zgjedhor dhe mënyrën e funksionimit të opozitës në Shqipëri, duke akuzuar drejtpërdrejt Partinë Demokratike.
Murrizi u shpreh kategorikisht kundër koalicioneve parazgjedhore, të cilat sipas tij, që prej vitit 2001 kanë dobësuar Partinë Demokratike dhe kanë çuar votat e saj drejt kundërshtarëve politikë përmes marrëveshjeve të brendshme.
“Me kë duhet të jemi ne në koalicion? Me Shpëtim Idrizin dhe Mesila Dodën? Që kanë marrë tre herë mandat nga PD-ja por bashkojnë votat me Ramën. Me kë? Me LSI-në që s’ka lidhje me qendrën e djathtë. Me Tik Lapajn? Unë jam kundër kategorikisht!”, deklaroi Murrizi.
Ish-deputeti tha gjithashtu se ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, të miratuara nga Sali Berisha dhe Edi Rama, prodhuan një sistem zgjedhor që dëmton sovranitetin e votës dhe favorizon marrëveshjet mes partive të mëdha.
“Shqipëria ka nevojë për një zonë zgjedhore. Unë kam hapur listat, të cilët këta e mbyllën kodin zgjedhor dhe për turpin e tyre mbyllën 1/3-n duke thënë që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që s’kishte asnjë presje nga vendimi për të mbyllur 1/3-n. Nëse Shqipëria do të ketë sistemin zgjedhor të Kosovës, Rama nuk është në pushtet”, u shpreh ai për "A2 CNN".
Sa i përket protestave, Murrizi tha se do të jetë pjesë e çdo tubimi kundër qeverisë, por theksoi se ndryshimi politik arrihet përmes votës dhe reformimit të sistemit dhe jo vetëm nëpërmjet protestave në rrugë.
Ai kërkoi gjithashtu një riorganizim të brendshëm të opozitës dhe një ndryshim të figurave që rrethojnë kreun e PD-së, Sali Berisha.
“Duhet një qasje tjetër te qytetarët dhe jo njerëz që nuk i do kurrkush dhe nuk i ka votuar njeri. Enturazhi që rrethon Berishën duhet të qërohet një orë e më parë”, deklaroi Murrizi.
Lini një Përgjigje