Presidenti turk Rexhep Erdogan pas pritjes nga Begaj ka mbërritur në Kryeministri, ku u prit nga kreu i qeverisë Edi Rama.
Bashkë do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, ndërkohë që do ketë edhe një takim të nivelit të lartë mes dy delegacioneve.
Vizita e presidentit turk do të mbyllet me inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, ku i pranishëm do të jetë edhe Rama.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, është lënë jashtë kësaj ceremonie, fakt i njoftuar publikisht nga vetë ai, ndërsa në emër të komunitetit, në inaugurim do të jetë Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili pritet të jetë edhe imami zyrtar i Xhamisë së Madhe.
Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.
Rama dhe Erdogan pas takimit do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi.
Ndërkohë për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së presidentiti turk, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, duke bërë edhe bllokimin e rrugëve në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës rreth 8 orë në Tiranë.
Policia e Shtetit njofton drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar-Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar-Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, do të jetë i bllokuar. Ndërkohë që rrugë të tjera që do të bllokohen janë: nga Rinasi-Qafa e Kasharit-Mbikalimi tek Casa Italia-nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir)-Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Po ashtu për shkak se presidenti Erdogan do të zhvillojë një takim me kryeminsitrin Edi Rama, rreth orës 12:00, do të bllokohet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish-Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”. Ndërkohë prej orës 16:00 do të bllokohen edhe rrugët, “Ismail Qemali”, “Papa Gjon Pali II”, “Ibrahim Rugova”, rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush” pasi delegacioni do të drejtohet drejt xhamisë së Namazgjasë për të bërë inaugurimin e saj.
Lini një Përgjigje