
Ish kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë paraditen e sotme, krim të cilin ai e lidh me zgjedhjet e 14 majit.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, Berisha është shprehur se krimi ndodhi pasi viktima kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu për bashkinë Lezhë, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij.
Ish-kryeministri shkruan gjithashtu se ditët e fundit Nikulaj ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, të cilët sipas tij kryen pushkatimin e rradhës për mbrojtjen e qeverisë.
“Skuadra e pushkatimit nën mbrojtjen e qeverisë kryen ekzekutimin e radhës! Rendi në duart e krimit! Të dashur miq, sot ditën për drekë u ekzekutua në lokalin e tij biznesmeni dhe eksponenti i PSD-së, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 dhe kandidat për këshilltar në këto zgjedhje, Ardian Nikulaj. Ky Krim i shëmtuar ndodh tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima, i ndjeri Nikulaj, kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij. Ndërkohë mësohet se ditët e fundit ai ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, PD dënon me ashpërsinë më të madhe ekzekutimin e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj si një akt të shëmtuar kriminal në fushatë elektorale dhe me sfond politik nga falangat e krimit të lidhura direkt me qeverinë”, shkruan Berisha.
Lini një Përgjigje