Deputeti demokrat Edi Paloka ka reaguar për vrasjen e ndodhur mesditën e kësaj të mërkurë në zonën e “Ranës së Hedhun”, ku viktimë mbeti biznesmeni Ardian Nikulaj.
I pyetur nga mediat, Paloka thotë se kjo vrasje është politike, ndërkohë ka theksuar se Nikulaj në këto zgjedhje ka qenë mbështetës i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjoni.
“Mendoj se vrasja ka qëllim poliitk. Në këto zgjedhje ai ka qenë mbështetës i kandidatit të koalicionit “Bashë Fitojmë” megjithatë nuk dua të flas më tepër sepse duhet të kem informacion”, tha Paloka.
Nikulaj u ekzekutua këtë të mërkurë me armë zjarri në lokalin e tij, kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë policia që ka rrethuar skenën e krimit. Deri më tani detajet janë të pakta. Autorët dyshohet se ishin dy dhe po lëviznin me motor kur zbrazën breshëri plumbash ndaj Nikulajt.
Ky i fundit ishte emër shumë i njohur në zonë. Përveç bizneseve në fushën e hoteleri-turizmit ai kishte dhe aktivitet politik. Në vitin 2021, Nikulaj kishte kandiduar për deputet. Po ashtu ai ka qenë pjesë edhe e Këshillit Bashkiak të qytetit të Lezhës.
Në formularin e dekriminalizimit, Nikulaj ka pohuar se ka qenë i dënuar me burg me 4 muaj për armëmbajtje pa leje dhe me një gjobë për falsifikim. Këto dënime i ka marrë përkatësisht në vitin 2003 dhe 2006.
Lini një Përgjigje