TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Prill 2023, 10:49

Parodia e Prishtinës me cirkun e hoxhallarëve

Shkruar nga Pamfleti
Parodia e Prishtinës me cirkun e hoxhallarëve
Berat Buzhala me hoxhë Mazllëm Mazllëmi

Si ka mundësi që dikur asnjë klerik musliman nuk i tha këto mënxyra për Skënderbeun si mazllamët e shokët e tyre? Apo këta janë më të shkolluar? Hoxhë Hasan Tahsini, ishte themelues i Universitetit të Stambollit…

Dhuna barbare ndaj gazetarit Valon Syla në Prishtinë, si një reagim skandaloz ndaj një ironie të tij për disa klerikë të njohur muslimanë në Kosovë, në vend që të sjellë një penalizim ndaj nxitësve të dhunës, ka prodhuar një efekt edhe më të rëndë.

Pas denoncimit të sjelljes skandaloze të hoxhës nga Prizreni, Mazllëm Mazllëmi me flamurin kombëtar e polemikat që solli ajo deklaratë, në Prishtinë po përjetojmë një parodi jo shumë estetike me këta personazhe, që realisht kanë toksikuar mjedisin në shoqërinë e Kosovës.

 

Duke parë audiencën e lartë të çështjes së flamurit, hoxha Mazllëm është kthyer sërish në yllin e ekraneve, falë Berat Buzhalës, i cili e ka intervistuar për ‘Nacionale’, duke e përhapur në mënyrë të përsëritshme në rrjet. Ku hoxhë Mazllëmi, nga një inatçor me flamurin me shqiponjë, që i dukej haram, doli në një atdhetar të mirë, i cili duhet të thotë vetëm fjalë të mira, të ëmbla, siç bën një besimtar që është me agjërim në Ramazan.

Ky cirk hoxhallarësh, më shumë se një tollovi audience, shton edhe të tej përsëritjen e një situate absurde që nuk lindi sot në Prishtinë.

Kosova është prej kohësh një mjedis, ku lobi klerikal dhe ai i rrjetit fanatik islam është kthyer në një rreth vicioz grupesh interesi, i cili kontrollon një fetë të madhe të pushtetit politik, atij ekonomik e financiar, si dhe të mjeteve të komunikimit masiv.

Edhe në trojet e tjera shqiptare si në Shqipëri, Preshevë, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi ka besimtarë dhe komunitet të konsoliduar musliman. Madje në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, ky komunitet, pra besimtarët praktikantë, në raport me numrin e popullsisë kanë një konsistencë më të madhe.

Por në të gjitha këto raste, bashkësia klerikale dhe besimtarët praktikantë janë treguar rreptësisht laikë, jo vetëm me shtetin, por edhe me shoqërinë në përgjithësi.

Këto komunitete bashkëjetojnë krejt natyrshëm, duke mos i hyrë në pjesë e duke mos prekur zonën jashtë territorit, ku besimtarët dhe klerikët kryejnë një nga veprimtaritë më të respektueshme të historisë njerëzore- atë të adhurimit ndaj Zotit, me synimin e gjërave të mira dhe largimit nga e liga.

Përkundër tyre, komuniteti klerikal dhe ai praktikant i Kosovës, në një pjesë të rëndësishme të tij se jo të gjithë, janë të zhurmshëm, janë bullistë ndaj të gjithë atyre që i kosniderojnë “qafira”.

Ata, përveç rolit aktiv në media dhe në rrjete sociale, financojnë edhe këngëtarë e blogerë për të sulmuar armiqtë e tyre.

Ndërkaq, ç’është më e keqja, ky lob është një islam i pastër politik, pasi është kthyer në një grup interesi që shkëmben votat në këmbim të fetave të pushtetit. Nga Thaçi kalojnë te Albin Kurti. E kështu, ata marrin komuna, dikastere, drejtori apo ente, ku punësojnë pjesë të “bashkësisë së tyre”që vepron si një rrjet sekret.

Deri një vit më parë kontrollonin edhe komuna të mëdha si për shembull Prizreni, apo drejtori entesh ujësjellësi në Prishtinë, drejtori shëndetësie në Mitrovicë etj.

Duke u forcuar në këtë mënyrë, po vijmë krejt natyrshëm drejt krijimit edhe legal të një partie politike islame, prova për të cilën u bë me Partinë e Drejtesisë, apo me partinë Fjala të Gazim Kelmendit. Ajo provë doli se në popull një parti shqeto e islamit politik nuk do të arrinte që të bëhej faktor, pasi votat ishin minimale. Ndërkaq, suksesi i parë me Mytaher Haskukën në Prizren, u duk se ishte thjesht një flluskë, e cila u shua shpejt, duke mos u konfirmuar në mandatin e dytë të tij.

Plus, që një parti e tillë do të sillte komplikime të mëdha në mënyrën e konceptimit të politikave e do të shfaqte në publik, kontradiktat e pafundme që përmban ky grupim që është asesi i madh.

Ndaj kanë zgjedhur që të rrijnë si një llozhë parapolitike që të lëvizin gjërat pas perdes. Natyrisht, duke ruajtur protagonizmin e kthyer në yje televizioni, ku një pjesë i adhuron, e një pjesë shkrihet gazit me hajgaret e mullahëve komedianë.

Askush nuk i sheh imamët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në televizione për çështje “civile”, përveçse transmetojnë në rrjete sociale ligjëratat e tyre religjioze, që është krejt normale.

Por përveç formës, ajo që të bën përshtypje në këtë model që i ngjan më shumë atij boshnjak, ku SDA e Izetbegoviçit është një parti me program islam, apo në Serbi, ku hoxhallarët e Sanxhakut janë aktiv në parlament dhe qeveri, një aspekt tjetër i këtij lobi është përmbajtja e mesazheve që lëshojnë në publik.

Ky mesazh ka si bazë, synim e target-grup: sulmin ndaj të gjitha figurave kombëtare shqiptare, krijimin e idesë se çdo arritje që ka bërë populli shqiptar është e gabuar dhe mbajtjen me zor të logjikës se vetëm Perandoria Osmane ishte shpëtimtarja e shqiptarëve.

Ata urrejnë të gjitha figurat e Rilindjes, të gjithë baballarët e kombit që nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Isa Boletini, që i cilësojnë si miq të shkijeve.

E natyrisht tmerr kanë Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën.  Kjo ndodh jo sepse ata nuk janë muslimanë, por se janë properëndimorë.

Ky lob financon dhe mbështet botime që rrëzojnë të gjitha tezat historike, linçojnë publikisht figura të rëndësishme të kulturës si Ismail Kadare, Ibrahim Rugova etj.

Nëse e gjitha kjo do të ishte në nivelin e mendimit, këndvështrimit, apo pikëpamjes, edhe pse anomali, ajo do të ishte jo aq e dëmshme. Ose fundi i fundit, do të konkurronte si propagandë me këndvështrimet e tjera.

Por e keqja është se, përveç depërtimit në mënyrë të fshehtë në shoqëri, metodat që veprojnë për të depërtuar janë të ashpra dhe antidemokratike, siç e tregoi barbaria ndaj Valon Sylës, sharja me ‘libër shtëpie’ që bën rrepisti Golden AG, një idhull artistik i xhematit të irrituar, e ushtria e sharësve me fjalët më të rënda, ndaj kujdo që ata e kanë vënë në shënjestër.

Nëse vihet re, sidomos vitet e fundit, aktiviteti ‘vullkanik’  i këtij lobimi nuk se ngjallet kur ata preken, shahen, apo sulmohen.

Duket se ka një plan të qartë pune, një lloj axhende, që ata e bëjnë për të evidentuar herë pas here prezencën e tyre në publik, ku ndërhyjnë dhunshëm, me zhurmë, e natyrisht për të shkaktuar një reaksion, që në fund të fundit rrëzon imazhin europian të shqiptarëve.

E këtu nuk ka faj as islami, as klerikët. Pasi Shqipëria nuk ka pasur vetëm sot klerikë në jetën publike. Madje disa të tillë janë ndër baballarët e kombit si Hoxhë Hasan Tahsini, Hafiz Ali Korça, Said Najdeni, Vehbi Dibra, Daut Boriçi etj., etj. Të cilët kush më pak e kush më shumë ishin më radikal apo më liberal në aspektet religjoze, megjithatë ishin thuajse njësoj në qëndrimin e tyre për shqiptarinë e në respektin jo thjesht për ata që i përkisnin feve të tjera, por në radhë të parë për figurat e kombit.

Figura e Skënderbeut nuk doli sot, as nga komunizmi, ajo u lartësua që në kohën e Rilindjes Kombëtare, ku natyrisht ishin pjesë edhe hoxhallarë të iluminuar. Si ka mundësi që atëherë asnjë klerik musliman nuk i tha këto mënxyra për Skënderbeun si mazllamët e shokët e tyre? Apo këta janë më të shkolluar?

Hoxhë Hasan Tahsini, ishte themelues i Universitetit të Stambollit…/Pamfleti

hoxhë mazllëm mazllëmi parodia e prishtinës cirku i hoxhallarëve

Lini një Përgjigje