TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Gusht 2025, 13:38

Edi Rama, “male të pastra” apo “Après moi, le déluge”,

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama, “male të pastra” apo “Après moi, le

Përse nuk i pastron malet nga parcelat e drogës, përse nuk ndalon prerjen e pyjeve, guroret dhe parqet fotovoltaike që po rrafshojnë gjelbërimin brenda zonave të mbrojtura e përgjatë bregdetit?

“Après moi, le déluge”, thonë me metafora francezët, që nënkupton, ‘pas meje, kijameti’. Kështu edhe Kryeministri Edi Rama pasi u dogjën mijëra hektarë pyje i ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen më 26 gusht në nismën e tij të quajtur “Male të Pastra”, për të pastruar 10 parqe natyrore, si pjesë e një lëvizjeje për të mbrojtur mjedisin.

Por kjo nismë mbetet thjesht një aksion propagandistik. Ajo vjen pas vendimeve të qeverisë për lehtësimin e djegies së afro 50 mijë hektarëve pyje, plantacioneve me ullishte, pemëve e bagëtive, madje dhe shtëpive në Gramsh, Delvinë, Vlorë e Fier, shkrumbimi i të cilave mund të ishte parandaluar nëse shërbimi i emergjencave do të kishte funksionuar si duhet.

Në këtë aksion “show”, Rama do të përdorë grupe patronazhistësh, me në krye ministrat, deputetët, kryebashkiakët, prefektët dhe drejtorët, të cilët do të filmojnë duke mbushur thasë me mbeturina e makina me shkarpa. Qëllimi nuk është mbrojtja e natyrës, por propaganda personale dhe iluzioni se Kryeministri ka merak për malet dhe parqet natyrore, të cilat, në fakt, janë lënë të degradojnë dhe janë shkatërruar nga vendime qeveritare.

Nëse Rama ka seriozisht qëllim mbrojtjen e natyrës, pse nuk ndalon prerjen e pyjeve dhe pse nuk pyllëzon zonat e shkatërruara pas prerjeve dhe djegieve?

Pse nuk bllokon guroret e oligarkëve që rrafshojnë kodrat brenda parqeve natyrore dhe zonave të mbrojtura, dhe vazhdon të japë leje për ndërtim?

Për shembull, vetëm një leje ndërtimi dhënë Idajet Ismailit ka betonizuar 55 hektarë zonë të mbrojtur pyjore brenda parkut natyror të Butrintit, ndërsa përgjatë bregdetit Vlorë-Orikum-Himarë-Borsh, Lukovë, Kakome-Sarandë-Ksamil janë dhënë leje për ndërtimin e hoteleve e resorteve prej betoni.

Hartat e betonizimit janë zgjeruar gjithashtu në bregdetin e Kavajës, Lalzit, Velipojës dhe përgjatë liqenit Pogradec-Drilon. Madje ortakët Fatmir Bektashi e Jamarbër Malltezi kanë marrë leje për të ndërtuar pa autorizim brenda parqeve natyrore.

Nëse nisma “Male të Pastra” do kishte kuptim real, Kryeministri do të pastronte parcelat e drogës në Shkodër, Kukës, Dibër, Mat, Kurbin, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Berat, Kuçovë, Elbasan, Mallakastër, Tepelenë dhe Përmet. Por aksioni i tij tre-orësh në vit është thjesht një propagandë, ndërkohë që vendime konkrete për pyllëzim e ndalim të shkatërrimit nuk ka marrë.

Për shembull, në parkun natyror të Labinotit i ka dhënë 20 ha Gjergj Lucës për të prerë pyjet dhe ndërtuar park energjie; në malin e Kaninës në Vlorë po zhduken 810 hektarë zonë e gjelbër për të ndërtuar park energjie fotovoltaike; ndërsa Pëllumb Salillari ka marrë leje ndërtimi për ujesjellës dhe fabrikë uji te ujëvara e Sinecit në Lumas të Kuçovës, duke zhdukur pyjet dhe betonizuar zonën.

Ndërkohë, Kryeministri vazhdon të bëjë ‘show’ me aksion për pastrimin e maleve dhe parqeve natyrore, duke promovuar ligjin e quajtur “Paketa e Maleve”, i cili favorizon betonizimin e klientëve të tij, dhe jo mbrojtjen reale të natyrës.

Në fund, nisma “Male të Pastra” është më shumë një spektakël propagandistik, sesa një përpjekje për të ruajtur mjedisin. Pyjet dhe parqet natyrore vazhdojnë të degradojnë nën vendimet qeveritare, ndërkohë që Kryeministri shfaqet si mbrojtës i natyrës, vetëm për sy e faqe./Pamfleti

après moi le déluge edi rama male të pastra

Lini një Përgjigje