TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Gusht 2025, 11:47

Kolegji Zgjedhor rrëzon Adriatik Lapajn, mandati i takon Ana Dajkos

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i sotmë zgjidh në këtë mënyrë edhe përplasjen mes Adriatik Lapajt të Shqipëria Bëhet dhe Endrit Shabani nga Nisma Thurje.

Kolegji Zgjedhor rrëzon Adriatik Lapajn, mandati i takon Ana Dajkos
Adriatik Lapaj-Endri Shabani

Mandati i vetëm që fitoi Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit do t'i mbetet Ana Dajkos. 

Ditën e sotme Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e KAS, i cili ia la mandatin e vetëm të Nismës Shqipëria Bëhet së parës në listë, Ana Dajkos, duke zgjidhur kështu përplasjen mes Adriatik Lapajt të Shqipëria Bëhet dhe Endrit Shabani nga Nisma Thurje.

Fillimisht Lapaj dhe koalicioni kishin kërkuar që mandati t’i kalonte atij, si më i votuari në listën e hapur. Por Komisioneri Shtetëror ia akordoi kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuveli. KAS e ndryshoi më pas këtë vendim, duke mos njohur dorëheqjet e dhëna para zgjedhjeve dhe duke ia akorduar mandatin Dajkos.

60-vjeçarja Ana Dajko është nëna e anëtarit të kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Vasil Dajko si dhe rezulton të jetë edhe kushërira e Lapajt. Ajo ka kryer arsimin e mesëm, ndërkohë që është e vetëpunësuar.

Sipas marrëveshjes së arritur më herët mes dy partive që përbëjnë koalicionin, “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”, kandidatët e listës së mbyllur kishin firmosur paraprakisht dorëheqje nga mandati, për të hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur.

Në këtë skenar, mandati do t’i kalonte Adriatik Lapajt si kandidati më i votuar.

Por situata u tensionua kur Zeqir Kordhoni, i afërmi i drejtuesit tjetër të koalicionit Endri Shabani, paraqiti kërkesë për të marrë mandatin. Sipas Shabanit dhe Kordhonit, kjo kërkesë bazohej në një deklaratë të mëhershme të Lapajt, i cili, sipas tyre, kishte premtuar se do të hiqte dorë nga mandati nëse koalicioni do të siguronte vetëm një vend në Kuvend.

Ky vendim i sotmëm i Kolegjit i hap rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve.

Ndërkohë mandati i Kuvendit aktual mbyllet më 9 shtator, ndërsa parlamenti i ri pritet të nisë jo më shumë se 10 ditë më vonë.Seanca hapëse do të jetë vetëm konstituive, pa axhendë dhe pa debate. Rregullorja e Kuvendit përcakton që drejtimin e seancës së parë e merr deputeti më i vjetër në moshë. Edhe në këtë legjislaturë, radha i takon Sali Berishës, i cili është 81 vjeç.

Në rast refuzimi, stafetën e marrin Tritan Shehu ose Vasil Llajo, deputeti socialist i listës së Vlorës. Menjëherë pas hapjes, Kuvendi nis verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin./ Pamfleti

Lini një Përgjigje