TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Gusht 2025, 09:53

Rama rikthehet në Kryeministri pas pushimeve në Dhërmi, priten emrat e qeverisë së re

Shkruar nga Pamfleti
Rama rikthehet në Kryeministri pas pushimeve në Dhërmi, priten
Edi Rama

Pas tre javësh pushimi në vilën qeveritare në Dhërmi, kryeministri Edi Rama është rikthyer këtë të hënë në zyrën e tij në Tiranë.

Në fotot e publikuara nga Euronews Albania tregojnë kreun e qeverisë të veshur sportiv, me rroba të zeza, teksa hyn në godinën e Kryeministrisë.

Në ditët në vijim, Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ku Rama do të prezantojë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, i njohur si “Rama 4”.

Me interes pritet të shihet lista e emrave që kryesocialisti do të zgjedhë për të drejtuar qeverinë gjatë mandatit të ardhshëm.

Muaji shtator shënon nisjen zyrtare të legjislaturës së re parlamentare në Shqipëri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 11 maj 2025.

Me një përbërje të re prej 140 deputetësh, nga të cilët 72 janë për herë të parë në parlament, sesioni i ri pritet të hapet më 10 shtator, duke shënuar një moment kyç për jetën politike dhe institucionale të vendit. Rezultatet e zgjedhjeve sollën një shumicë të re parlamentare, me Partinë Socialiste që siguroi 83 mandate, Partinë Demokratike me 50 mandate dhe pjesën tjetër të ndarë mes partive më të vogla si Partia Socialdemokrate, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma “Shqipëria Bëhet”.

Brenda 10 ditëve nga nisja e legjislaturës, Rama do të dorëzojë në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Zyrtarizimi i qeverisë së re kërkon të paktën 71 vota. Pas votëbesimit, Kushtetuta kërkon që qeveria të bëjë betimin përpara Presidentit të Republikës. Tradita politike e së majtës e paraprin këtë proces me Asamblenë Kombëtare, e cila këtë vit është planifikuar në ditët e fundit të muajit gusht. Në këtë forum priten njoftimet për kabinetin “Rama 4”, ndryshimet në parti dhe në grupin parlamentar. 

Lini një Përgjigje