
Kandidati për deputet i koalicionit “Djathtas për Zhvillim” për Qarkun Vlorë, Edvin Kulluri, ka reaguar pas deklaratave të Jozefina Topallit e cila tha se “Djathtas për Ndryshim” nuk do të marrë asnjë mandat. Ajo shtoi se rezultati më këto zgjedhje do të jetë më i keqi.
Përmes një videoje në Facebook, Kulluri shprehet se forca politike ku ai kandidon ka besimin e qytetarëve dhe do të marrë rezultat pozitiv në zgjedhjet e 11 majit. Ai shprehet se "ne do të jemi në Parlamentin e ardhshëm, ndërsa shton se “nuk do të fëlliqemi si ty në Shkodër që mezi more 1 mijë vota pas as vitesh kryetare Kuvendi”.
“Nuk kam pasur kurrë dëshirë dhe nuk është në stilin tim të bëj polemikë me zonjat, aq më tepër me zonja me të cilat kam pasur një marrëdhënie politike. Por këtë herë do të bëj një përjashtim, duke mos e kaluar kufirin e etikës time të komunikimit.
Jozefina Topalli para dy ditësh ka thënë se “Djathtas për Ndryshim” nuk do të marrë asnjë mandat dhe do marrë rezultat të keq në këto zgjedhje. Nuk e di pse e ka thënë këtë, nuk i di as arsyet, por një gjë është e sigurt që, Jozefin ne do të marrim vota, do të jemi në Parlamentin e ardhshëm, dhe nuk do fëlliqemi si ty në Shkodër, që mezi more 1000 vota pas aq vitesh Kryetare Kuvendi dhe e përkëdhelura e kryetarit.
E di pse, sepse ndryshe nga ty ne kemi treguar se i qëndrojmë gjërave që bëjmë, i qëndrojmë gjërave që themi, i kemi bërë të gjitha përpjekjet për reformimin e PD, një mentalitet autokratik në Partinë Demokratike, dhe këtë betejë politike do ta vazhdojmë në Parlamentin e ardhshëm ndaj autokratizmit të dy partive të mëdha dhe dy kryetarëve të partive, ndryshe nga ty që nga rebele u ktheve në të nënshtruar të Sali Berishës.
Ne nuk nënshtrohemi as ndaj Berishës, as ndaj Ramës, prandaj kemi kërkuar lista të hapura. Prandaj kemi kërkuar decentralizim. Dhe mbi të gjitha prandaj kemi kërkuar që shqiptarëve, t’i kthehen të gjitha pronat e lira dhe të kompensohen financiarisht të gjithë pronarët legjitimë”, tha Kulluri.
Lini një Përgjigje