Ndonëse e shiti si një draft sekret dhe që nuk është konsultuar me asnjë, në fakt drafti i propozuar nga Rama për Asociacionin në Kosovë nuk është dhe aq i fshehtë.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka deklaruar sot se është një ndër personat që e ka parë draft-statutin e hartuar nga kryeministrin Rama për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Grubi zgjodhi të mos fliste për pika specifike të draftit, por shprehu publikisht se e mbështet atë.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se iniciativa e kryeministrit Rama i hap rrugë çtensionimit të situatës në Veri dhe mund të çojë në njohjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“E lexova draftin, kisha komunikime dhe me autoritetet në Shqipëri dhe jap përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar këtë situatë të krijuar në veri të Kosovës, por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA-ve në rrethanat e reja të krijuara.
Çdo iniciativë dhe nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshje të mëtejshme është e mirëpritur. Përgëzoj kryeministrin Rama për gadishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, tha Grubi për “Euronews Albania”.
Lini një Përgjigje