
Opozita prej javësh vazhdon të ndezë tymuese dhe flakadanë në çdo seancë të Kuvendit. Protesta e Rithemelimit po e bën edhe më të vështirë mundësinë për një dialog mes dy partive.
Mazhoranca prej një viti ka rrëzuar 8 kërkesa për komisione hetimore, të cilat sipas socialistëve janë bllokuar për shkak të rishikimit të ligjit. Në Parlament kanë qenë të depozituara nismat e Jorida Tabakut dhe Edmond Spahos, ndërsa shumica e bëri publik fundjavën e shkuar draftin e saj përmes nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj.
Felaj u shpreh se drafti i propozuar nga mazhoranca është i njëjtë me atë të propozuar nga Tabaku dhe që merr parasysh të gjitha vendimet e Kushtetueses.
“Drafti që ne kemi propozuar i merr parasysh të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë fuqinë e ligjit për të gjithë. Drafti që ne kemi propozuar, të paktën në dy parashikime të rëndësishme, është pikë për pikë si drafti që ka propozuar grupi parlamentar i PD-së nëpërmjet Jordia Tabakut dhe jo rastësisht, sepse ne kemi huazuar atë përkufizim të rëndësishëm nga Kushtetuesja në disa vendimmarrje të saj, të cilat fillojnë nga viti 2003 e në vijim. Mekanizmat që ne kemi adresuar nuk kanë ardhur nga hiçi, por janë mekanizma të shpallur, të shkruar, që duhen impelemtuar në ligj”, tha Felaj në “A2”.
Lini një Përgjigje