TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Dhjetor 2023, 20:10

Pse SPAK dhe GJKKO nuk po vënë në zbatim Nenin 231 për Sali Berishën?

Shkruar nga Pamfleti
Pse SPAK dhe GJKKO nuk po vënë në zbatim Nenin 231 për Sali
Sali Berisha

Ose SPAK dhe GJKKO janë trembur nga presionet e Berishës, ose nuk duan t’i japin trajtë politike kësaj çështje...

Drejtësia duket se u tregua edhe një herë e pafuqishme përballë Sali Berishës. Për të tretën herë ai refuzoi të zbatojë masën e sigurisë kundër tij dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje ndaj Berishës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi akuzohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Gjyqtarja vendosi që ai të paraqitet pranë oficeres së policisë gjyqësore në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 10.00.

Në nëntor Berisha e shkeli dy herë masën, teksa SPAK u justifikua me faktin se vendimi nuk kishte marrë formë të prerë për shkak se çështja shkoi në Apel. Por edhe Apeli e la në fuqi masën dhe dje Berisha duhej të shkonte në SPAK. Por kjo nuk ndodhi. Ai në orën 10.00 u shfaq në Parlament duke tentuar të bllokonte seancën. Por edhe pse u refuzua një masë sigurie të zbatohej, SPAK nuk veproi.

Gjykata e Posaçme ashtu dhe SPAK nuk po vënë në zbatim nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale. Është ky nen në fakt që përcakton se si duhet të veprohet nëse një individ nuk zbaton një masë sigurie qoftë ndaluese, qoftë shtrënguese. Me pak fjalë, neni e përcakton qartë se GJKKO në këtë rast, mund të vendosë një masë sigurie më të rëndë ndaj Berishës.

Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në Nenin 231.

Pra ky nen nuk po zbatohet dhe ka shumë aludime mbi shkaqet. Ose SPAK dhe GJKKO janë trembur nga presionet e Berishës ose nuk duan t’i japin trajtë politike kësaj çështje. Masa më e rëndë në këtë rast është “arresti shtëpiak” ndaj Berishës dhe që të ndodhë kjo, duhet që të kërkohet heqja e imuniteti në Kuvend. SPAK është kujdesur shumë që të mos shkojë te kjo fazë, pasi e di që rasti do të trajtohet politikisht.

Ndërkohë sipas juristëve ka dhe një mënyrë tjetër, e cila po ashtu nuk zbatohet: Ajo e shoqërimit me forcë. Nëse gjykata apo SPAK duan, mund të urdhërojnë që Berisha të shoqërohet me polici dhe të paraqitet të hënave në orën 10.00. Por edhe kjo skemë nuk aplikohet dhe gjitha duket se lidhet me fakti se SPAK nuk do të bëhet pjesë e valles politike.

Sinjalet janë se goditja e SPAK do të vijë në gjykatë, kur dosja të shkojë për gjykim. I zbaton apo jo masat e sigurisë Berisha, nëse në fund gjykata e dënon, ai nuk ka nga ja mban. Ndoshta mund të mos shkojë në burg, por me shumë mundësi të drejtën për të qenë deputet do e humbasë. Megjithatë mbetet të shihet, pasi sipas zërave, ka dhe dosje të tjera në lojë që mund të bëjnë më interesante lojën. /Pamfleti

berisha spak

Lini një Përgjigje