
Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj dhe Nisma Thurje e Endri Shabanit kanë protestuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës si Kryeministër.
Protesta u njoftua pasditen e djeshme, disa orë pas arrestimit me urdhër të SPAK të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Lapaj nga “Shqipëria Bëhet” theksoi se GJKKO dhe SPAK duhet të përkrahen pa rezerva në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe përballjes me bandat 34-vjeçare, siç i quajti ai.
“Në fakt ky është një reagim i shpejtë për t’u vendosur përballë atij ligjit dhe për t’u reshtuar krah Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme, të cilët me kurajo të fortë po luftojnë bandat 34-vjeçare.
Sigurisht që autokraci, në vende të marra peng, në vende ku administrata kërcënohet me vendin e punës, me bukën e gojës, ku detyrohen njerëzit në administratë të bëjnë nga 5 e nga 10 familjarë jashtë që të votojnë për partinë në pushtet, që partia në pushtet, kapet dhunshëm pas karriges së pushtetit.
Por, zgjedhjet janë afër. Kjo nuk është çështje e të votuarit të një partie apo partie tjetër, ata që na ndjekin duhet ta dinë qartë, vetëm këta që janë në pushtet mos votoni”, tha Lapaj.
Kreu i Nisma Thurje akuzoi Ramën për shpërdorim të pushtetit duke keqshfrytëzuar për interesa personale, asetet publike.
“Dëgjova Ramën sot dhe tha nuk shkulem nga karrigia. A u ngopët? A u ngopët? 24 vjet që i keni marrë këtij vendi hapësirat publike, i ke marrë plazhet, i ke marrë pasuritë kombëtare, i ke marrë burimet natyrore. Ça të ka ngëlur pa marrë more zotëri? A u ngopët? Nuk iki thotë, nuk shkulem nga vendi”, tha Shabani.
Lini një Përgjigje