
Më shumë se një luftë Athinë-Tiranë, është një përplasje e vjetër Greqi-Turqi, por që bëhet në territorin tonë...
I gjithë ky tension që ka kapluar marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, nuk lindi me arrestimin e Fredi Belerit, pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Incidenti ishte pika që derdhi gotën, e cila ishte mbushur me kohë.
Ekzaktësisht, në vjeshtën e vitit 2022, kur Edi Rama dhe Qirjako Micotaqis ishin afër një marrëveshjeje për trajtimin e problemit të kufijve detarë në Gjykatën e Hagës.
Rama, ja ka lënë në dorë këtë çështje një grupi avokatësh të nivelit të lartë, britanikë dhe amerikanë, që drejtohen nga bashkëshortja e Tony Blairit, Cherie. Ndërkaq, përveç këtij grupi avokatësh, Shqipëria, apo më saktësisht paneli i juristëve, kishte mbrapa një ekspertizë të nivelit të lartë të hartografëve dhe oficerëve turq, pjesë e Akademisë Ushtarake Republikane.
Përpara kësaj situate, e cila ishte jo e favorshme për Athinën, Micotaqis, propozon një kundër lëvizje të fortë.
I ofroi Edi Ramës një marrëveshje ose deklaratë paraprake, ku palët shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare jo për zgjidhjen e një çështje të kontestuar, por për një ndarje të barazlarguar. Në fillim këtë e pranoi edhe Edi Rama, madje në Tiranë u fol shumë në atë kohë për këtë “Marrëveshje paraprake”. E cila në fakt nuk u arrit kurrë. Ishte koha e një muaji mjalti të Edi Ramës me Micotaqisin, të cilin e merrte në telefon edhe nga Dropulli live në tubimin elektoral të PS-së.
Por këtu mësohet se ka ndërhyrë Erdogan, i cili i ka thënë Edi Ramës që nuk duhet të shkonin në Hagë si të pajtuar, se përndryshe, ajo do të quhet marrëveshje.
Vetë Rama ka marrë kohë për tu përgjigjur, me taktikën për ta lodhur kryeministrin grek, i cili në një moment i ka kërkuar që të ndajë mendjen çfarë do të bëjë. E këtu është prerë filmi, pasi shërbimet greke kishin arritur të zbulonin ndërhyrjen e Erdoganit në këtë çështje.
Në këtë kontekst, në një farë mënyrë, Micotaqis ka rënë në kurthin e Edi Ramës, i cili e ftoi të bëjë fushatë në Himarë, të takojë Fredi Belerin, duke mbajtur edhe miting para njerëzve, si dhe i premtoi bustin e të atit në Dropull.
E gjithë kjo është zhvilluar në një periudhë, ku nga Athina kanë nisur një seri shkrimesh pozitive për Ramën, që nuk kishte ndodhur prej kohësh. Madje, Rama, mori pjesë në një aktivitet në Athinë, në një klub ekskluziv golfi, ku diskutoi me “qetësi dhe dashuri” me motrën e kryeministrit grek, përkatësisht njeriu që ka hartuar marrëveshjen famëkeqe të detit me Shqipërinë, Dora Bakojanis. E më pas, ministri i Jashtëm grek Dendias, një korfusaz me rrënjë shqiptare hapi një ekspozitë pikture me vepra e Edi Ramës, si një akt për ta joshur “piktorin e Tiranës”. Rama, me një mjeshtri prej aktori luajti lojën që ja ofruan grekët.
E në këtë kohë, qarqet në Athinë, u mbushën me dezinformacione se kryeministri shqiptar është prishur me Erdoganin, ku në realitet pati një thatësirë protokollare gjithë kohën për të cilën po flasim.
Ishte pikërisht në këtë moment, kur Athina lëvizi fort dhe ra në një grackë, që edhe sikur ta kishte përgatitur Edi Rama, nuk do ta bënte aq mirë. E çuan Fredi Belerin si një kandidat të përbashkët të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Një manovër, që Rama e kishte ëndërruar. Pasi si Berisha edhe Meta konsiderohen nga Perëndimi, pra SHBA e BE, jo vetëm si të djegur e të padëshirueshëm, por edhe njerëz me fije të vërtetuara me Moskën.
Aty më pas ndodhi ajo që dihet, por që Athina nuk ka arritur deri më sot të vjelë fryte nga aksioni i saj, sidomos prej qëndrimit refraktar të amerikanëve që mbështesin SPAK, apo Gjermanisë, e cila po negocion me Edi Ramën një marrëveshje ‘alla Meloni’ për emigrantët e refuzuar.
Erdogan më pas i ka ofruar sërish Bablokut historinë me kuaj e salltanete, por para së gjithash, shërbimet sekrete turke, kanë qenë të përpiktë për të sjellë në skenë lëvizjet e Athinës. Që janë munduar të digjen përpara se të shtrohen.
Erdogan ka lidhur marrëveshjen me Edi Ramën që në vitin 2009, kur e shtyu të çojë në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen Basha- Bakojanis, e Ankaraja nuk dëshiron në asnjë mënyrë që Shqipëria e Greqia të lidhin një marrëveshje për kufijtë detarë.
Deri tani, Athina ka arritur një farë suksesi, pasi ka lidhur pakte detare me Italinë për Detin Jon dhe me Egjiptin për Detin Mesdhe. Nëse do të firmoste marrëveshjen me Shqipërinë, siç bëri në kohën e Sali Berishës, atëherë Ankaraja do të ishte e izoluar. Në fakt, i gjithë kontesti qëndron jo vetëm për ishujt që ndodhen në kufijtë mes Greqisë dhe Turqisë, por më shumë për Mesdheun Lindor, që konsiderohet një basen i madh gazmbajtës e naftëmbajtës.
Ndaj sherri mes Ramës e Micotaqis, ende nuk ka filluar, pasi siç mësohet, Athina është gati të financojë e ndikojë me të gjitha mënyrat për ta rrëzuar sa më shpejt nga pushteti.
Në ditët që vijnë, pritet që shërbimet greke të injektojnë të dhëna përvëluese për qeverinë shqiptare, me synimin t’i bëjnë presion Edi Ramës. E me fjalët e Bablokut, nuk kemi parë gjë akoma! Por gjithsesi, më shumë se një luftë Athinë-Tiranë, është një përplasje e vjetër Greqi-Turqi, por që bëhet në territorin tonë./Pamfleti
Lini një Përgjigje