TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Gusht 2025, 17:23

Djegie mandatesh, bojkot apo do të hyjnë në Kuvend? Këlliçi zbulon skenarin për deputetët e PD

Shkruar nga Pamfleti

Djegie mandatesh, bojkot apo do të hyjnë në Kuvend?

Partia Demokratike ka deklaruar se nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka manipuluar procesin, madje duke ngritur pretendimet për aplikimin e ‘trenit bullgar’ në ditën e votimeve.

Por a do të hyjnë deputetët e PD-së në Kuvend apo jo? Në deklaratat publike, nga zyrtarët e PD-së, përjashtohet opsioni i djegies së mandateve, një vendim që u aplikua gjatë kohës kur kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha dhe i shkaktoi probleme të shumta. Ndërkohë një nga opsionet mbetet bojkoti afatgjatë, por edhe ky skenar pritet të diskutohet në fillim të shtatorit. 

Belind Këlliçi, i cili ishte drejtuesi politik për PD-në në Qarkun e Tiranës, aty ku koalicioni “ASHM’ arriti të marrë vetëm 13 nga 37 mandatet e deputetëve, tha për News24 se rikthimi në Kuvend në sezonin e ri parlamentar të opozitës do të vendoset nga forumet e larta të PD.

“Çdo ditë në mënyrë permanente, Berisha vijon të denoncojë të gjitha faktet që kanë vërtetuar se 11 maji ka qenë një farsë e madhe elektorale. Duhet të shohim vendimarrjen e PD për rikthimin apo jo në parlament të opozitës, duhet të shprehen organet e larta të PD, këshilli e forumeve të PD, do të vendosin ata agjendën politike. E rëndësishme është të reflektojmë interesin e qytetarëve shqiptarë”, tha Këlliçi.

Në 11 maj, PD dhe aleatët e saj të përfshirë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mori rezultatin më të dobët elektoral që prej 1997-ës. Demokratët dhe aleatët arritën të merrnin 50 mandate deputetësh, kundrejt 83 të Kryeministrit Edi Rama, që rezulton me një nga mazhorancat më solide në 35 vitet e pluralizimit shqiptar, si forcë e vetme politike. Ndërkohë mandatet e tjera janë shpërndarë mes PSD-së së Tom Doshit (3 deputetë), Mundësia (2 deputetë) dhe nga 1 deputet koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, si dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Lini një Përgjigje