Glauk Olldashi, djali i ish-deputetit dhe ish-ministrit të ndjerë Sokol Olldashi, nuk ka kursyer kritikat në drejtim të mënyrës se si organizohen “Foltoret” e së hënës para Kryeministrisë.
Gjatë takimit që Sali Berisha zhvilloi me të rinjtë dhe të rejat e FRPD-së, Olldashi tha se për nga pjesëmarrja ato lënë për të dëshiruar. Por ky nuk ishte shqetësimi i vetëm i Glauk Olldashit, i cili u shpreh se disa nga oratorët, disa nga ata që marrin mikrofonin dhe podiumin, na turpërojnë.
“Doktor, disa nga ata folësit kanë qenë edhe të dehur. Unë nuk e di si përzgjidhen, por ne si të rinj të PD-së marrim një kosto kur dëgjojmë fjalime të tilla, që na bëjnë edhe ne për të qeshur. Ne doktor këto folës na turpërojnë dhe na cënojnë imazhin më shumë se sa mund t’ju dëmtojnë juve, pasi ne jemi e ardhmja në politikë.
Pse të mos organizohen këto foltore për problemet që ka arsimi, shëndetësia, bujqësia, ku çdo të hënë, bazuar në fushën që do të trajtohet të marrin fjalën ata që janë pjesë e sistemit, pra mësues, pedagogë, mjekë, apo specialist të bujqësisë”, tha Olldashi.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur kritikave, Berisha tha se pjesëmarrjet në Foltore nuk kanë asnjë rëndësi.
“Foltoret nuk kanë si prioritet pjesëmarrjen. Edhe për folësit mund të ketë përmirësime, por ato nuk paracaktohen, janë qytetarë që flasin, sikundër ka pasur edhe njerëz të profesioneve të tilla si mjekë apo pedagogë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje