TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Janar 2026, 15:27

Nga deformimi i zgjedhjeve te presionet ndaj SPAK, Tabaku e Bardhi ‘nxijnë’ Ramën te ministri gjerman

Shkruar nga Pamfleti
Nga deformimi i zgjedhjeve te presionet ndaj SPAK, Tabaku e Bardhi
Tabaku takim me Krischbaum

Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi, deputetë të PD-së, kanë zhvilluar një takim me ministrin gjerman për Europën, Gunther Krischbaum, gjatë të cilit është theksuar se lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar janë jetike për Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku bën të ditur se e njohu Krichbaum me zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus të veçantë procesin e integrimit europian dhe sfidat reale që po e pengojnë atë.

Në qendër të diskutimit ishin çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e drejtësisë dhe hetimet e SPAK, veçanërisht dosjet që prekin nivele të larta të qeverisjes dhe institucionet publike.

Deputetja e Partisë Demokratike theksoi presionin në rritje që qeveria po ushtron ndaj sistemit të drejtësisë, si dhe problematikat që lidhen me amendamentet e Kodit Penal të ri, aktualisht në shqyrtim në Kuvend. Tabaku nënvizoi nismën e saj për dekriminalizimin e shpifjes, në përputhje me rekomandimet e Progres-Raportit të Bashkimit Europian, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të fjalës.

Në takim u trajtua edhe situata e investimeve të huaja dhe mekanizmi i shqyrtimit të tyre. Sipas Tabakut, qeveria shqiptare nuk ka treguar vullnet politik për të zbatuar në mënyrë serioze rregulloren e BE-së për kontrollin e investimeve nga vende të treta jomiqësore, duke krijuar rreziqe për sigurinë, transparencën dhe konkurrencën e ndershme.

Një tjetër temë kyçe ishte procesi zgjedhor dhe mosplotësimi i kritereve themelore që lidhen me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, pjesë e grup-kapitullit të parë të negociatave.

Në këtë kuadër, Gazment Bardhi theksoi se mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë.

Nga deformimi i zgjedhjeve te presionet ndaj SPAK, Tabaku e Bardhi

Tabaku theksoi se, me këto ritme, qeveria shqiptare mbetet “vite dritë” larg integrimit real, ndërsa periudhat e ndërmjetme të kërkuara janë dëshmi se integrimi po përdoret më shumë si fasadë dhe retorikë politike sesa si proces reformash të thella.

Tabaku siguroi se opozita dhe Partia Demokratike janë plotësisht të angazhuara në procesin e integrimit europian, duke e konsideruar atë jetik për të ardhmen e vendit dhe për ndërtimin e institucioneve funksionale, demokratike dhe të besueshme.

 

tabaku bardhi krischbaum

Lini një Përgjigje