Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike në konferencën e përjavshme për shtyp me mediat tha se Kryeministri Edi Rama, sipas tij, do të marrë një “leksion” nga qytetarët gjatë protestës së paralajmëruar nga opozita për ditën e shtunë.
“Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën. Qytetarët do t’i japin një leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë.Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e futu brenda, rri, nëse je burrë”, , tha Berisha duke paralajmëruar një "21 Janar" të dytë.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se protesta e të shtunës është prova e madhe për opozitën dhe luftën e saj për rrëzimin e Edi Ramës, të cilin e etiketoi si “kryehajduti” i kombit.
“Është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera”, tha Berisha.
Nesër është dita e gjykimit për Ramën u shpreh ai.
“Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë”.
Lini një Përgjigje