Mesazhet e Krichbaum që janë sinjalet zyrtare që vijnë nga Berlini për politikën në Shqipëri, vijnë në një kohë kur hera herës ndaj SPAK aplikohen sulme dhe presione
Gunther Krichbaum, ministri i shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, ka zhvilluar një vizitë në Tiranë, ku është takuar me Kryeministrin Rama, përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, si dhe kreun e SPAK-ut, Klodian Braho.
Në një njoftim zyrtar, Ambasada gjermane në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimet e ministrit Krichbaum, ndërsa theksohet se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar dhe duhet të çohet para lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministri gjerman ka vënë theksin në realizimin e reformave për realizimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, por veçanërisht ka kërkuar forcimin e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese”, u shpreh Krichbaum në mesazhin e tij në përmbyllje të vizitës në Tiranë.
Mesazhet e Krichbaum që janë sinjalet zyrtare që vijnë nga Berlini për politikën në Shqipëri, vijnë në një kohë kur hera herës ndaj SPAK aplikohen sulme dhe presione, por ka edhe një paralajmërim për ndërhyrje përmes ligjesh që mund të asgjesojnë Prokurorinë Speciale, ose minimizojnë rolin e saj. Në muajt e fundit, Edi Rama ka shtuar dozat e sulmeve ndaj SPAK e BKH, por pa lënë mënjanë edhe GJKKO-në. Madje, Kryeministri ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka cilësi sa i takon vendimeve që jepen, duke paragjykuar kështu punën e strukturave të posaçme, SPAK dhe GJKKO, që shigjetohen sa herë që ato godasin në rrethin e afërt të Kreut të Qeverisë. E ndërsa më parë, Rama mbante flamurin si “krijuesi” i këtyre institucioneve përmes reformës në drejtësi, sot ai është kthyer në “kërcënuesin” numër një të ekzistencës së tyre. Kjo edhe për faktin se një aleancë mes tij dhe Sali Berishës, mund të ccojë në ndryshime ligjore që të venë në dyshim ekzistencën e këtyre institucioneve.
Nga ana tjetër, Krichbaum është një njohës mjaft i mirë i zhvillimeve politike në Shqipëri dhe hera herës ka shprehur qëndrimet në emër të CDU-së ndaj këtyre zhvillimeve. Ai ka mbështetur SPAK gjatë periudhës kur kjo strukturë sulmohej ashpër nga politika, sikundër ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj Sali Berishës në kohën e përplasjeve të tij me Lulzim Bashën për logon dhe vulën e PD-së. Krichbaum, një prej figurave kryesore të CDU-së, nuk ka kursyer paralajmërimet edhe gjatë kohës kur mbante funksionet në Bundestag, në drejtim të politikës shqiptare, sa herë ashpërsoheshin tonet ndaj SPAK-ut. Ai ka mbështetur SPAK në kohën kur Prokuroria Speciale nisi hetimet ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, gjë që solli edhe një seri sulmesh ndaj deputetit gjerman. Në 2023-in, ishte Krichbaum, që në emër të PPE-së i kërkonte politikës shqiptare që të ndërpriste sulmet ndaj SPAK-ut dhe të linte këtë institucion të bënte detyrën për të cilën ishte ngritur.
Njoftimi zyrtar
Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë.
Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho.
Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:
“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.
Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.”
Lini një Përgjigje