TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Mars 2023, 18:51

Diskutimet e plota/ Alibeaj i kalon topin Berishës për bashkimin e PD, Kryesia kërkon kandidatë të përbashkët në zgjedhje

Shkruar nga Pamfleti

Diskutimet e plota/ Alibeaj i kalon topin Berishës për bashkimin e PD,

Sali Berisha tani duhet të zgjedhë: Do shkojë në zgjedhje në krahë të Ilir Metës apo në krah të demokratëve...

Enkelejd Alibeaj i ka kaluar sërish topin Sali Berishës për bashkimin e PD. Ky i fundit ka 3 ditë që turfullon pasi Apeli i hoqi vulën. Por teksa sulmon dhe anatemon këdo që ka para, sot ka pasur një zhvillim surprizë nga grupi i Alibeaj. Ky i fundit ka mbledhur Kryesinë ku është duke u diskutuar mbi mënyrën se si do të shkohet në zgjedhje.

Prej disa orësh vijojnë debat e diskutimet dhe shumica e anëtarëve kërkojnë që në zgjedhje PD të shkojë e bashkuar, pra të krijohet mundësia që dhe kandidatë e dalë nga “primaret” të futen në listat e kandidatëve.

Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj Kryesie hapjen në princip ndaj  gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik”, ka thënë Alibeaj në mbledhje.

Bardhi: Të bëjmë gjithçka për kandidatë të përbashkët

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ka bërë thirrje që në zgjedhjet vendore të dalin me kandidat unik. Bardhi ka thënë në mbledhje se fokusi duhet të jetë tek zgjedhjet vendoret.

Secili prej nesh ka bërë betejë për ta bërë partinë demokratike fituese, alternativë qeverisëse. Gjatë kësaj kohe ka nevojë vetëm për maturi. Gjuha e urrejtjes nuk mund të ketë vend tek ne. Jemi 70 ditë larg nga zgjedhjet. Fokusi ynë duhet të jenë vetëm zgjedhjet e 14 Majit. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë, të ofrojmë çdo gjë, që të gjendet zgjidhje dhe PD e opozita të dalë me kandidatë të përbashkët”, ka thënë Bardhi në mbledhje.

Çollaku: Kandidatët e “primareve” të ftohen të shkojmë bashkë në zgjedhje

Edhe deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku i është bashkuar propozimit të Alibeajt që të ftojnë të gjithë kandidatët e primareve dhe të garojnë për zgjedhjet lokale nën siglën e PD-së zyrtare.

Vendimi i datës 3 qartësoi legjitimitetin e strukturës drejtuese të PD. Asgjë më shumë se kaq. Ne nga data 3 kemi detyrën të sillemi si PD dhe jo me si grupe brenda PD. PD është e të gjithë demokrateve dhe e jona këtu dhe e atyre atje. Sot është detyra jonë t’i ofrojmë bashkëpunim e bashkim me çdo demokrat. Ky vit ka qenë shumë vit i ngarkuar. Kemi mbajtur shumë baltë, akuza të pavërteta, agresivitet dhe nuk jemi përgjigjur. Mendoj që kemi bërë mirë, por nga sot për hir të bashkimit të PD duhet t’i tejkalojmë këto ngarkesa negative.  Sfidë mbetet zgjedhjet e 14 majit. Kam kërkuar në çdo kohë të bëjmë çdo sakrifice për të dalë me kandidat të unifikuar nën siglën e PD. E kam kërkuar edhe vete dhe e mbështes propozimin, të ftohen të gjithë kandidatët të dalë nga procesi i primareve nga pala tjetër në siglën e PD. Ne kemi çdo mundësi që të hapim një dialog e proces konsensusi në çdo bashki për t’u përfaqësuar me emra cilësor fitues dhe të unifikuar. Nëse vërtete duam të bëjmë një PD fituese duhet bashkim dhe tejkalim i çdo ngarkese emocionale apo interesi personal”, ka thënë Çollaku në mbledhje.

Tabaku: S’ka asnjë alternativë tjetër, përveçse të bashkuar

Ndërsa deputetja Jorida Tabaku tha para nisjes së mbledhjes se ka ardhur momenti që të gjithë demokratët të ngrihen mbi interesat personale. Tabaku u shpreh se PD duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje dhe se përballë nuk kanë njëri-tjetrin, por Edi Ramën.

"S’ka asnjë alternativë tjetër, përveçse të bashkuar. Kundërshtari politik është përballë nesh jo në anën tonë. Nuk ka rëndësi fare në këtë moment që të shohim interesin personal, por të ngrihemi mbi veten tonë dhe të formojmë një forcë serioze për zgjedhjet e 14 majit. I bëj thirrje kolegëve të PD-së që së bashku të ofrojmë një ofertë seriozë për shqiptarët. Është e padrejtë që në këtë moment të shohim interesat tona personale. Si qytetare, si anëtare e thjeshtë e PD-së do të jem gjithmonë për bashkimin e partisë. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen, Lulzim Basha është e shkuara e PD-së, të shohim nga e ardhmja!", tha Tabaku.

Dashnor Sula kërkon grup negocimi me Sali Berishën

Edhe deputeti demokrat, Dashnor Sula i është bashkuar propozimit që PD të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale. Ai propozoi mes të tjerash që të mandatohet një grup negocimi me palën tjetër.

Mbështesim idenë e kandidatëve të përbashkët dhe e vlerësoj ftesën e Alibeajt. Partia menjëherë pas zgjedhjeve të hyjë në proces zgjedhor në një afat kohor brenda 3 muajve pas ditës së zgjedhjeve të 14 majit. Kryetari në detyrë të ndajë detyrën nga Kryetari grupit dhe një deputetë tjetër të drejtojë grupin parlamentar. Të mandatohet një grup negocimi me palën tjetër”, tha Sula.

Duket se tani topi ka kaluar te Berisha. Ky i fundit ka gjithë këto kohë që shprehet se kërkon bashkimin e PD dhe tani do jetë në test. Grupi i Alibeajt i ka shtirë dorën e bashkëpunimit dhe tani Berisha duhet të vendosë: Do shkojë në zgjedhje me Ilir Metën apo me demokratët. /Pamfleti

berisha alibeaj pd vula

Lini një Përgjigje