Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku i është bashkuar propozimit të Alibeajt që të ftojnë të gjithë kandidatët e primareve dhe të garojnë për zgjedhjet lokale nën siglën e PD-së zyrtare. Çollaku ka thënë në mbledhjen e Kryesisë se është e rëndësishme që të bëhet sakrificë dhe të dilet me një kandidat të përbashkët.
“Vendimi i datës 3 qartësoi legjitimitetin e strukturës drejtuese të PD. Asgjë më shumë se kaq. Ne nga data 3 kemi detyrën të sillemi si PD dhe jo me si grupe brenda PD. PD është e të gjithë demokrateve dhe e jona këtu dhe e atyre atje. Sot është detyra jonë t’i ofrojmë bashkëpunim e bashkim me çdo demokrat. Ky vit ka qenë shumë vit i ngarkuar. Kemi mbajtur shumë baltë, akuza të pavërteta, agresivitet dhe nuk jemi përgjigjur. Mendoj që kemi bërë mirë, por nga sot për hir të bashkimit të PD duhet t’i tejkalojmë këto ngarkesa negative.
Sfidë mbeten zgjedhjet e 14 majit. Kam kërkuar në çdo kohë të bëjmë çdo sakrifice për të dalë me kandidat të unifikuar nën siglën e PD. E kam kërkuar edhe vete dhe e mbështes propozimin, të ftohen të gjithë kandidatët të dalë nga procesi i primareve nga pala tjetër në siglën e PD. Ne kemi çdo mundësi që të hapim një dialog e proces konsensusi në çdo bashki për t’u përfaqësuar me emra cilësor fitues dhe të unifikuar. Nëse vërtete duam të bëjmë një PD fituese duhet bashkim dhe tejkalim i çdo ngarkese emocionale apo interesi personal”, ka thënë Çollaku në mbledhje.
Lini një Përgjigje