TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Shkurt 2026, 17:16

Dështon seanca në GJKKO ndaj Ilir Metës, shkak dhunimi i avokatit Cakrani

Shkruar nga Pamfleti
Dështon seanca në GJKKO ndaj Ilir Metës, shkak dhunimi i avokatit
Ilir Meta dhe Kujtim Cakrani

Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta për shkak të mungesës së avokatit të tij mbrojtës, i cili u dhunua fizikisht disa ditë më parë.

Avokati Kujtim Cakrani nuk u paraqit në sallë, ndërsa edhe disa kolegë të tij munguan në shenjë solidariteti. Ilir Meta ishte i pranishëm dhe deklaroi se ishte i gatshëm të paraqiste qëndrimet e tij, por gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë shqyrtimin për më 19 shkurt.

Në seancën e mëparshme, Prokuroria e Posaçme përfundoi leximin e aktakuzës ndaj Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të bashkëpandehurve, duke kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim.

Seanca e ardhshme parashikon dëgjimin e parashtrimeve të të pandehurve. Avokati Cakrani u sulmua fizikisht të dielën pranë një pike karburanti në Vlorë.

Kujtojmë që SPAK ka shtuar “arsenalin” e dyshimeve të ngritura ndaj ish-Presidentit të Republikës, pasi mes provave ka dhe një letër-porosi të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Struktura e Posaçme pretendon të ketë zbuluar një shumë të re prej gati 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe që lidhen me ish-Presidentin, nën akuzë për 3 vepra penale. Bëhet fjalë për kontratën e konsulencës me kompaninë GSIS, që i shtohet shumës fillestare për të cilën ishte ngritur akuza.

Sipas akuzës, Meta akuzohet për korrupsion në 3 raste të ndryshme, 2 prej të cilave i ka kryer në bashkëpunim. Ish-Presidenti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

kujtim cakrani ilir meta

Lini një Përgjigje