
Kush janë deputetët që braktisën votimin?
Partia Socialiste nuk ka arritur të sigurojë 71 votat e nevojshme për miratimin e projektvendimeve në seancën e sotme parlamentare.
Edhe pse ka 84 mandate, PS përfundoi sot në 67 vota. Sapo u mbyllën diskutimet dhe nisën përgatitjet për të miratuar rendin e ditës, deputetët e PD u tërhoqën nga disa nisma të tyre dhe kërkuan të hiqen nga rendi i ditës.
Më pas u vijua me pikat e tjera, por sapo u hodh në votim ligji "Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet për përpunimin e materialeve zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", u pa se PS mori 67 vota.
Më pas kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërhyri duke e ndërprerë procesin me argumentin se ishte bërë një gabim procedural. Sipas tij, projektvendimet duhet të votoheshin vetëm pas përfundimit të diskutimit të të gjitha projektligjeve.
“Ka një gabim. Projektvendimet votohen në fund, pasi diskutohen projektligjet. Projektligjet e tërhequra nuk janë tre, por dy. Projektligji për një shtesë në ligjin për tatimin e vlerës së shtuar nuk është tërhequr. Do të korrigjohet ky gabim”, deklaroi Peleshi nga drejtimi i seancës.
Deputetët e Partisë së Lirisë që ishin në sallë, reaguan menjëherë, duke pretenduar se votimi u ndërpre për shkak se mazhoranca nuk kishte numrin e nevojshëm të votave.
Po ashtu deputeti Agron Shehaj akuzoi drejtuesit e seancës për manipulim të procesit parlamentar. “Ishim në votim. Kur shikoni që nuk keni vota, e ndërprisni dhe thoni që ishte gabim. Ta marrim vesh: a u ndërpre votimi sepse mazhoranca nuk kishte votat?”, deklaroi ai.
Peleshi mohoi që ndërprerja të kishte lidhje me numrat në sallë. “Nuk është ndërprerë votimi për çështje numrash, sepse në sallë janë më shumë se 70 deputetë. Ishte gabim njerëzor, pasi kishte mbetur një projektligj pa u diskutuar”, u përgjigj ai.
Pas debateve, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi disa minuta pushim. Ai deklaroi se kishte pasur paqartësi lidhur me tërheqjen e nismave nga opozita.
“Ne u informuam se opozita është tërhequr nga të gjitha nismat. Na Blushi na informon se nuk është tërhequr nga nismat. Nuk kemi si të kalojmë në diskutim nismën e zotërisë. Zoti kryetar, na i sqaroni këtë”, tha Balla.
Sipas të dhënave të bëra publike në seancë, mungonin këta deputetë dhe ministra: Pirro Vengu, Albana Koçiu, Belind Balluku, Edi Rama, Toni Gogu, Elisa Spiropali, Ervin Demo, Majlinda Dhuka, Adea Pirdeni, Blendi Gonxhja, Damian Gjiknuri, Erjona Ismaili, Fatmir Xhafaj, Hatixhe Konomi, Ornaldo Rakipi, Eduard Shalsi, Tedi Mula dhe Saimir Hasalla.
Gjatë pushimit u thirrën disa prej deputetëve që mungonin dhe PS arriti të sigurojë 72 vota, por falë ndihmës së partisë së Tom Doshit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje