Partia Demokratike mori pjesë në tryezën e Forumit për Dialog Politik për të nxitur bashkërendimin mes forcave opozitare dhe për të kërkuar zgjedhje të lira të parakohshme. Anëtari i Këshillit Kombëtar, Ilir Alimehmeti, sqaroi se opozita synon të kalojë nga përplasjet e brendshme drejt një qasjeje të përbashkët politike.
Alimehmeti deklaroi se për një periudhë të gjatë ka munguar dialogu konstruktiv mes palëve politike. Sipas tij, kjo situatë ka krijuar tensione brenda kampit opozitar dhe ka penguar koordinimin e qëndrimeve.
Ai theksoi se pjesëmarrja në tryezë synon të vendosë komunikim të drejtpërdrejtë për çështje që lidhen me drejtësinë, proceset zgjedhore dhe standardet demokratike. Në këtë takim, Partia Demokratike u përfaqësua nga ai vetë dhe Luçiano Boçi.
Përfaqësuesi i PD ngriti akuza për procesin zgjedhor të 11 majit. Ai argumentoi se raporti i OSBE-ODIHR evidenton probleme në zgjedhje dhe se mazhoranca ka përfituar mandate në mënyrë të parregullt. Sipas tij, 83 mandate nuk përfaqësojnë rezultat të rregullt zgjedhor. Alimehmeti lidhi situatën politike me çështje të tjera që, sipas tij, kanë ndikuar në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, përfshirë fondet IPARD, rastin e SASPAK dhe çështje që lidhen me AKSHI-n.
Ai theksoi se opozita po synon unifikimin përmes tryezave të dialogut, ku përfshihen edhe parti jashtë Parlamentit. Sipas tij, forca më e madhe opozitare duhet të mbështesë subjektet më të vogla në përpjekjen për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët.
Alimehmeti e vendosi theksin te reforma zgjedhore dhe rishikimi i Kodit Elektoral si hapa të domosdoshëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai e konsideroi pjesëmarrjen në tryezë si pjesë të këtij procesi politik.
Alimehmeti: Mirëpresim një dialog mes palëve që është i nevojshëm. Sepse vijmë nga një periudhë e gjatë kohore ku dialogu nuk ka qenë konstruktiv. Ndaj tani vijmë nga një dialog politik te ai konstruktiv. Ne e mbështesim forumin e tryezës për dialog politik, për shumë çështje. Nga mbështetja e drejtësisë, te zgjedhjet e lira. Dhe si arrihet kjo? Me përballje të vazhdueshme dhe jo vetëm me fjalime. Unë dhe Luçiano Boçi kemi qenë në tryezë si përfaqësues të PD-së.
Çfarë zgjedhjesh të lira bëri Edi Rama, çfarë programi pati? E thotë edhe raporti i OSBE-ODIHR. As pensionet nuk u rritën dhe as pasaporta evropiane nuk u dha, që nga rasti i fondeve të IPARD, apo fondet e SASPAK të Ilir Beqjas, të gjitha këto ikën, i hoqi BE-ja. AKSHI më i fundit, pra BE i ka hequr këto dhe po merret me të tjera. Nuk janë 83 mandate të fituara, por të grabitura.
Lini një Përgjigje