
Partia Demokratike në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), organizoi programin e trajnimit për deputetët e rinj të kësaj force politike, ndërsa kreu demokrat Sali Berisha i dha ‘leksionin e parë’ ligjvënësve.
Ndërsa e konsideroi si fisnik rolin e deputetëve, Berisha tha se për çdo njeri që ka ambicien më të vogël politike, qenia deputet është realizimi i një ëndrre ndër më të bukurat e jetës së tij.
“Shumë funksione mund të merrni gjatë jetës, por si ai i deputetit nuk është asnjë. Ndaj dhe uroj që ky mision t’u frymëzojë dhe të bëhet një bazë e fuqishme për ndërtimin e një karriere të denjë politike.
Deputeti ka shansin e madh që në tempullin e parlamentit të formohet si një orator i shkëlqyer. Nuk ka platformë më dinjitoze, më të bukur se ajo e parlamentit për të treguar oratorinë tuaj. Në universin e veprimtarisë së tij, ligjeve dhe vendimeve që miraton, është pa dyshim dhe universiteti më i shkëlqyer politik i juaji.
Është mundësia e jetës suaj që me ligje dhe vendime, me nisma legjislative, ju të ndikoni në jetën, veprimtarinë e mijëra, mijëra, mijëra qytetarëve. Në jetën e vendit. Pra, të ushtroni kështu, për mirë sigurisht është fjala, influencën më të madhe.
Por kjo kërkon përkushtimin tuaj. Kërkon përkushtim të madh ndaj parlamentit, veprimtarisë së tij.
Angazhim të madh në komisione, në sallë dhe kudo. Natyrisht një raport është më thelbësori. Është raporti i të gjitha raporteve tuaja. Është raporti me zgjedhësit”, tha Berisha.
Në vijim kreu demokrat, i cili është pjesë e Parlamentit prej 1991, tha se është fatkeqësia më e madhe një deputeti është kur ai shkëput lidhjet nga zgjedhësit e tij, interesat e tyre.
Në këtë kuadër, Berisha tha se takimet me zgjedhësit janë të pazëvendësueshme. “Asgjë nuk duhet të shkëpusë deputetin nga takimi me elektoratin e tij”, shtoi ai.
Por kreu demokrat ngriti edhe problematikën që deputetët sot nuk kanë staf qoftë për kontaktet e vazhdueshme me zgjedhësit, qoftë për mbështetjen e veprimtarisë së tyre në parlament.
“Ky është një parlament skeletik ta quajmë. Kur imagjinoj se jepen 220 mijë rroga në administratë dhe këto, dhe sheh parlamentarët pa asnjë ndihmës, ose të paktën të zënë dy-tre së bashku një zyrë... kjo është si ta përthash parlamentin.
Ndaj dhe gjykoj se është e domosdoshme krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre.
Ishte e gabuar, ua them unë ju këtu, rritja e rrogave të deputetëve. Jo se kanë ndonjë rrogë, të themi, stratosferike. Por shumë më e drejtë do të ishte shpenzime edhe më të mëdha për stafe të parlamentit”, tha Berisha.
Ca kontaktesh te mbajn ato , ato si dalin dot para njerzve dhe strukturave se nuk i don njeri . Vetem lista e mbyllur ka fitu . Pd tashme esht nje parti e vogel .