
Deputeti i Rithemelimit, Luan Baçi është shprehur se nuk e njeh vendimin e PD-së zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë më 29 korrik. Ai shtoi se personat të cilët kanë marrë pjesë në mbledhje nuk janë anëtarë të zgjedhur.
Në një intervistë për “Report TV”, deputeti tha se e gjithë situata e krijuar është një farsë e planifikuar nga ish kryedemokrati Lulzim Basha, i cili sipas tij po organizon takime thjesht formale me një grup gjimnazistësh.
Ai theksoi ndër të tjera se përçarja në grupin parlamentar është aq e madhe se deputetët as nuk përshëndeten njëri me tjetrin.
“Nuk ka përplasje tek PD, nuk është PD këto dy grupime që mblidhen aty, disa deputetë të vetëquajtur anëtarë kryesie. Unë i njoh anëtarët e kryesisë së PD. T’u thuash anëtarë kryesie disa personave që i merr nga një listë dhe i fut tek kjo listë me rëndësi, është thjesht një farsë. PD është në këtë situatë të krijuar artificialisht nga Lulzim Basha për ta mbajtur PD-në të përçarë deri në fund. Po të donin bashkim, do bënin gjëra praktike të vinin tek zyrat e PD-së për t’u mbledhur jo tek zyrat e Kuvendit. Të mblidhemi të gjithë bashkë, të debatojmë, të grindemi të zihemi por ta zgjidhim problemi. As nuk përshëndesin anëtarët e tjerë të grupit parlamentar. Kanë një agjendë, Lulzim Basha e ka vërtetuar këtë gjë. Se tha që po tërhiqet tani thotë se bëra një hap pas por do bëjë dy hapa para. Me një telefonatë largon Alibeajn nga pozita e kryetarit të komanduar dhe bën takime formale me të rinj”, tha Baçi.
Lini një Përgjigje