Gjërat nuk duken aspak të thjeshta...
Me zgjedhjen si President i Republikës të Bajram Begajt, Edi Rama e bëri traditë tërheqjen e dekreteve në kohë reale. Shkonte në zyrën e kreut të shtetit me dekretet në dorë, e i merrte kur dilte me bojën e freskët të vulën presidenciale.
Por duket se tani situata nuk është aspak e tillë. Edhe pse i paralajmëroi që të shtunën dekretet për shkarkimin e Blendi Cuçit dhe emërimin e Taulant Ballës për ministër të Brendshëm, kryeministri nuk e ka shkelur derën e Presidencës.
Burime nga kreu i shtetit bëjnë të ditur se dekretet do të shkojnë atje në mënyrë protokollare, e si e tillë do të jetë edhe rruga e përgjigjes nga Bajram Begaj.
Rama, mësohet se ka kërkuar që Taulant Balla të dekretohet ministër përpara ditës së enjte, kur zhvillohet seanca e Parlamentit, e ku duhet të votohet dekreti presidencial.
Por gjërat nuk duken aspak të thjeshta. Presidenti i Republikës ka 10 ditë afat për ta miratuar apo refuzuar. Taulant Balla, nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë ministër, pasi duke plotësuar kushtet për t’u zgjedhur deputet, juridikisht mund të dekretohet edhe ministër pa asnjë problem. Mirëpo, duke qenë se ministri i Brendshëm është një post me certefikatë sigurie, ka gjasa që në këtë rast presidenti të kërkojë informacion shtesë nga agjencitë ligjzbatuese pra SHISH por edhe partnerët.
Duke parë precedentin e vitit 2021, ku Balla jo vetëm nuk u dekretua në postin e ministrit të Brendshëm siç u prit, por u largua edhe nga qarku i Elbasanit që ishte kthyer në një pashallëk të tij, u largua edhe nga posti numër dy i PS-së, ai i Sekretarit të Përgjithshëm, duke u zëvendësuar me Damian Gjiknurin.
Atëherë u tha se ka pasur sinjale nga partnerët, që i referoheshin lidhjeve problematike të kreut të grupit me personazhe të botës së krimit.
Ndërkaq, një nga eksponentët e kësaj bote, deklaroi gjatë një séance gjyqësore se Balla ka ndikuar për të ndaluar një hetim që kishte nisur në prokurorinë e Elbasanit.
Bën përshtypje fakti se Rama nuk ka komunikuar fare verbalisht me kreun e shtetit, duke lëvizur vetëm me shkresa, çfarë tregon gjendjen e nderë, që u vu re që javën e shkuar. Kur në Tiranë ishte Bill Clinton dhe ceremonia zyrtare u bojkotua nga Begaj.
Rama, një ditë më pas dërgoi Belinda Ballukun në Presidencë, duket për t’i treguar marazin e shefit të madh, e nxori Taulant Ballën që të flasë publikisht se po përgatitet “Ligji për Presidentin”.
E kjo deklaratë e Ballës, duket se është pritur jo mirë nga Begaj, i cili ka akuzuar qeverinë e mazhorancën për thikë pas shpine e mungesë komunikimi me institucionin për të përgatitur ligjin organik për kreun e shtetit.
Rama, i cili ka shkuar që në mëngjes në samitin e NATO-s në Lituani, kishte të gjitha mundësitë që dekretin e Ballës ta merrte që të shtunën ose të dielën, për ta miratuar sot. Por duket se do ta përdorë si dekretin e Ballës, ashtu edhe kërkesën e SPAK për Arben Ahmetajn, si një ‘shkop i Rrajave’ për deputetët rebelë në PS, apo edhe për të mbajtur të gjallë teatrin politik me evente.
Ndërkaq, Rama nuk ka marrë asnjë vendim për kreun e grupit parlamentar, e zyra e tij e shtypit po përhap versione nga më të ndryshmet. Duket se këto zëra po bëhen për të nervozuar Pandeli Majkon që të nisë të flasë ashpër në media, pasi mësohet se ja ka premtuar atij kreun e grupit gjatë pranverës. Ka gjasa që Pandi të shkojë prapë te dentisti, e Rama ta kthejë seancën e së enjtes në një spektakël ku të ngrejë zërat për të vendosur situatën nën kontroll. E siç mësohet, nëse Begaj nuk e dekreton Ballën deri të mërkurën, qeveria mund ta emërojë atë zëvendësministër, që ta drejtojë dikasterin si në precedentin e Nanos në 2003 apo Gend Cakës në 2018-n./Pamfleti
Lini një Përgjigje