Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi se kjo forcë politike nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj institucioneve të drejtësisë së re.
Pas mbledhjes së kryesisë së PS, ai u pyet nga gazetarët nëse mbrojtja publike ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku ka shënuar një ndryshim në raportin e PS me SPAK.
Klosi theksoi se Partia Socialiste e ka mbështetur reformën në drejtësi që nga fillimi dhe se kjo mbështetje mbetet e pandryshuar.
“Në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim përsa i përket organeve të drejtësisë së re. Mbështetja për drejtësinë e re ka qenë në themelet e kësaj periudhe të strukturimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste. Mos harrojmë, kemi ardhur në pushtet në vitin 2013 me një nga premtimet e mëdha, të reformës në drejtësi. Atë reformë që ja kemi ofruar qytetarëve shqiptarë, vazhdojmë ta mbështesim, ta jetësojmë dhe natyrisht të qëndrojmë gjithmonë të baraslarguar nga drejtësia përsa i përket vendimmarrjeve të saj”, tha Klosi për mediat.
Ai shtoi se Partia Socialiste nuk ndërhyn në proceset hetimore dhe nuk mban qëndrime për çështje që janë në shqyrtim nga institucionet e drejtësisë.
“Ne i qëndrojmë 100% të parimit. Nuk involvohemi në asnjë proces hetimor. Përsa i përket hetimit, në asnjë rast nuk do të kemi pengim të hetimeve, koment për hetimin dhe natyrisht koment për gjykimet e fundme të vendimmarrjes së organeve të drejtësisë”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje