
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar nga burgu, lidhur me buxhetin e vitit 2025.
Duke e cilësuar ai antisocial, Meta shkruan se as pensionistët dhe as familjet në nevojë nuk mbështeten, por diskriminohen më tej me këtë buxhet.
Meta shkruan se nuk ka asnjë fond shtesë nga qeveria për kategorinë e të papunëve, ndërkohë që numri i tyre rritet. Sipas tijm rritja ekonomike do të shkojë për projektet PPP me mbështetje buxhetore për të vjedhur qytetarët, si dhe për të rritur shpenzimet administrative të luksit.
“Buxheti për vitin 2025, më antisociali, që shton varfërinë dhe korrupsionin. Asnjë shtesë në fondin e pagave për politika të reja pagash. Zero fonde për indeksim të pagave nga rritja e çmimeve. Pensionistët do të diskriminohen më tej me këtë buxhet. Fondi për politika të reja pensionesh për vitin 2025 parashikohet vetëm 1.6 miliard lekë ose rritje me 0.9% të fondit total të sigurimeve shoqërore.
Kjo do të thotë se pensionet nuk do të rriten as 1% kur vetëm niveli i inflacionit i parashikuar për vitin 2025 është 3%. Jo vetëm zero rritje, por edhe ulje të fondeve të kujdesit social përfshi dhe për familjet në ndihmë ekonomike që jetojnë në varfëri të tejskashme. Nga 26,1 miliard lekë në vitin 2024, në 23,7 miliard lekë në vitin 2025.
Zero fond shtesë për kategorinë e të papunëve, ndërkohë numri i të papunëve rritet. Zero fonde për shtresat në nevojë. Pra e gjithë rritja ekonomike që është kontribut i të gjithë qytetarëve dhe taksapaguesve do të shkojë për investimet publike korruptive me kosto shumë herë mbi realen për të rritur korrupsionin”, shkruan Meta.
Lini një Përgjigje