Një burim diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t, se ky përbën një sinjal shumë shqetësues për atë që pritet të jetë politika e jashtme amerikane...

Donald Trump, menjëherë pas zgjedhjes ka zhvilluar një seri bisedash telefonike me 70 krerë shtetesh dhe qeverish. Shumica e tyre nuk kanë qenë evropianë. Siç e bëjnë të ditur mediat botërore, Trump ka biseduar kryesisht me liderë, me të cilët synon të diskutojë politikisht, për të zgjidhur çështjet pezull që ka lënë administrata e Joe Biden.
Siç mësohet, ai nuk ka folur me asnjë prej krerëve të vendeve të BE-së, përveç kryeministrit të Britanisë së Madhe. Ka bërë më shumë përshtypje telefonata me Vladimir Putin, Zelenskin, Netanjahun dhe liderin palestinez, Abaz, si aktorë të tratativave të mundshme për të mbyllur konfliktet në fuqi.
Megjithatë, Donald Trump ka folur edhe me disa prej liderëve të Ballkanit. Bëhet fjalë se ai ka pasur bisedime telefonike me Alexandër Vuçiçin, Presidentin e Serbisë; Andrej Plenkoviçin, kryeministër i Kroacisë dhe Hristian Mickoskin, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.
Pse Trump nuk ka biseduar me asnjë përfaqësues shqiptar?
Një burim diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t, se ky përbën një sinjal shumë shqetësues për atë që pritet të jetë politika e jashtme amerikane. Diplomati perëndimor në logjikën e analizës së tij, përqendrohet pikërisht në prioritetin që administrata e re e Donald Trump po i jep qarqeve, që deri më sot Uashingtoni i ka konsideruar, të paktën jo aleatë.
Këtu zë fill apo më mirë është konsoliduar fruti i asaj që ka mbjellë Richard Grenell, si lobuesi kryesor i Serbisë në SHBA. Prej katër vitesh Serbia ka shpenzuar miliona dollarë në politikën republikane të MAGA-s, duke çuar në Uashington një nga njerëzit më të afërt të Aleksandër Vuçiçit: Marko Gjuriç.
Për të cilin është folur se ka marrëdhënie të afërta miqësore me Richard Grenellin. Kjo tregon se të gjithë ata qarqe shqiptare, sidomos në Kosovë, që janë entuziazmuar nga fitorja e Donald Trump, nuk kanë asnjë argument për këtë entuziazëm.
Idea e tyre se Trump do të lirojë Hashim Thaçin e krerët e tjerë të UÇK-së nga burgu, duket më shumë se iluzion, pasi nëse do të ishte e tillë, do të kishim një sinjal apo një mesazh.
Një vizitë në burg, një telefonatë, një deklaratë, apo në fund të fundit edhe një qëndrim të nënkuptuar. Mungesa e telefonatave të Trump me Kurtin është e kuptushme, pasi administrata e Tij e shkarkoi Albinin, përmes një puçi të mirëfilltë.
Ndërkohë që mungesa e telefonatës së Trump me Edi Ramën është një mesazh i qartë politik, që tregon rëndësinë e Bablokut para administratës amerikane. Zero!
Ky është një sinjal i rëndë, jo thjesht për Edi Ramën dhe qeverinë e Tiranës, por edhe për rëndësinë e shqiptarëve në Ballkan, e cila me administratën ‘Trump’ do të jetë së paku e reduktuar.
Me kancelaritë e Beogradit e Shkupit, Trump ka folur direkt, mesazh që tregon se më kë do të bisedojë Uashingtoni pas janarit. Nëse vëren listën e personazheve me të cilët ka folur presidenti i zgjedhur i SHBA, sheh qartësisht se janë të gjithë ata kancelari që kanë pasur probleme me kancelarinë e Biden. Të cilat janë prioritet i Trump. Të tjerët, së paku nuk i ka në prioritet, e sipas gjasave as në listën e prioriteteve./Pamfleti
Lini një Përgjigje