
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar pas publikimit të projektbuxhetit 2024. Sipas saj mos taksimi i bizneseve të vogla është një propagandë e PS-së.
“Dëgjuam dje se në Shqipëri nuk taksohen bizneset e vogla dhe gjithashtu që në Projektbuxhetin 2024 nuk do kemi taksa të reja. Si gjithmonë e vërteta është shumë ndryshe nga dokrrat e propaganda e ditës”, tha Tabaku.
Ajo tha se në projektbuxhet janë vendosur taksa shtesë për familjet dhe profesionistët që do të paguajnë deri në 23% për profesionet e tyre. Ajo gjithashtu krahasoi këtë projektbuxhet me 10 vite më parë ku në Shqipëri taksa e sheshtë ishte 10% dhe kjo i dha mundësi bizneseve t’i shmangeshin taksimit.
“Në projektbuxhetin 2024 janë 70 mln euro taksa shtesë për xhepat e familjeve shqiptare. Mes tyre më kryesorja është taksa e vendosur për profesionistët e lirë që do të paguajnë deri në 23% për dijen dhe aftësitë e tyre profesionale. Si erdhëm deri këtu?
Në vitin 2013 Shqipëria kishte taksën e sheshtë 10%! Secili paguante 10 përqindëshin e pagës së tij. Socialistët vendosën të ndryshojnë gjithçka, sollën taksimin progresiv socialist ku çdokush paguante progresisvisht për të ardhurat që fitonte.
Kjo, i dha jetë skemave për t’i ikur taksimit socialist progresiv. Fillimisht profesionistët krijuan biznese me NIPT dhe ofruan shërbimet e tyre. Më tej këto profesionistë mundën t’i ikin skemës së taksimit progresiv socialist që nisi të taksonte progresivisht edhe ato të ardhura që vinin nga dy punësimi.
Kjo skemë përveçse e padrejtë dhe pandershme nxiti dhe informalitetin”, shtoi ajo.
Sipas Tabakut kjo krijoi mungesa në buxhet dhe shumë profesionistë iu shmangen taksimit dhe përfituesit e koncesioneve të lejeve të ndërtimit të përfitojnë.
“Kjo, krijoi një gropë të madhe në buxhet ku profesionistët preferonin që t’i shmangeshin taksimit progresiv socialist që taksonte punën deri në 23% ndërsa përfituesit e koncesioneve dhe lejeve të ndërtimit me 5% për fitimin.
Në vend që mazhoranca socialiste të ndryshonte skemën e taksimit të pandershëm socialist, ato vijuan ta thellojnë dhe sot kanë sjellë në tavolinë taksimin socialist mbi profesionistët e lirë”, tha deputetja.
Tabaku tha se qëllimi i këtij projektbuxheti është të taksohen punëtorët e shtresës së mesme dhe të përfitojë më shumë një shtresë që ofron më pak për ekonominë.
“Qëllimi? Të taksojmë profesionistët e shtresës së mesme, punëtorin që ngrihet përditë në mëngjes për të punuar dhe t’i japim sa më shumë përjashtime një shtrese gjithnjë e më të pakët që fiton më shumë dhe paguan më pak taksa dhe ofron më pak produktivitet ekonomisë.
Ky është taksimi i pandershëm socialist që propaganda dhe dokrat që dëgjoni përditë në media mbulojnë. Socialistët mund të propagandojnë por llogarinë e xhepave tuaj në fund të ditës e dini ju!”, përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje