TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Mars 2026, 21:40

Brukseli shkund qeverinë/ Braho 4 orë raportim në KE, Gonzato jep alarmin për depërtimin e krimit në administratë

Shkruar nga Pamfleti
Brukseli shkund qeverinë/ Braho 4 orë raportim në KE, Gonzato jep
Kreu i SPAK, Klodian Braho raporton në Komisionin Europian

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, raportoi për rreth 4 orë në Komisionin Europian mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa nga Tirana, Gonzato dha alarmin se krimi po depërton në ekonomi dhe administratë...

Brukseli ka dhënë mesazhe të forta për situatën e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Mesazhi i parë i fortë erdhi gjatë raportimit të kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, i cili së bashku me një delegacion të SPAK ka raportuar për rreth katër orë në Komisionin Europian mbi progresin në kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Burime nga Brukseli bëjnë me dije se ky ishte një test i rëndësishëm për Brahon pas marrjes së detyrës në krye të SPAK. Ai u paraqit përpara përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, struktura përgjegjëse për monitorimin e vendeve kandidate për në Bashkimin Europian.

Braho shoqërohej nga një grup hetuesish dhe këshilltarësh ligjorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mes tyre Sadleva Bodo dhe shefi i kabinetit Fabian Zhilla, ndërsa delegacioni shqiptar iu përgjigj një sërë pyetjesh mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mësohet se Brukseli ka kërkuar goditje sa më të forta kundër krimit dhe korrupsionit.

Por paralelisht me raportimin në Bruksel, një mesazh i fortë erdhi edhe nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, paralajmëroi se krimi i organizuar po minon integritetin ekonomik të Shqipërisë, administratën publike dhe besimin e qytetarëve tek institucionet.

Sipas tij, përveç ndjekjes penale, autoritetet shqiptare duhet të fokusohen më shumë edhe në masa parandaluese për të ndalur infiltrimin e krimit në ekonominë e ligjshme.

“Krimi i organizuar minon integritetin ekonomik të Shqipërisë, administratën publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet. Kjo kërkon që, përveç ndjekjes penale, të përqendrohemi më shumë tek masat parandaluese”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori theksoi se përdorimi i instrumenteve si heqja e licencave, kontrolli i pjesëmarrjes në tenderë publikë dhe sanksionet administrative janë mjete të rëndësishme për të bllokuar depërtimin e krimit të organizuar në bizneset e ligjshme dhe në ekonominë formale.

“Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Kjo qasje është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi ai.

Mesazhi i Brukselit vjen në një moment kur raportet ndërkombëtare dhe debatet publike në vend kanë ngritur shqetësime për ndikimin në rritje të krimit të organizuar në ekonomi dhe për lidhjet e mundshme të tij me politikën.

Në këtë kontekst, raportimi i SPAK në Komisionin Europian dhe paralajmërimet e diplomatëve europianë tregojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit mbetet një nga provat kryesore për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. /Pamfleti

 

1 Komente

  1. P
    Pak nga të gjitha

    Pse nuk kandidon për kryeministé ky ambasadori që në vendin e tij as deputet nuk zgjidhet dot

    Lini një Përgjigje