TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Nëntor 2024, 12:05

Brenda një dekade Trumpizmi do ta reformojë thellësisht edhe Evropën

Shkruar nga Henry Olsen

 

Brenda një dekade Trumpizmi do ta reformojë thellësisht edhe
Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë /

Evropianët që po ndeshen me realitetin e fitores së Donald Trump, do të pyesin veten se çfarë do të thotë ky lajm për ta. Përgjigja e qartë, është se politika dhe qëndrimet e SHBA-së ndaj vendeve evropiane dhe Bashkimit Evropian, do të ndryshojnë shumë.

Ndërsa përgjigja më pak e qartë, por më prekëse është se fitorja e tij, është një shembull sesi do të jetë e ardhmja në Evropë.

Trump fitoi më 5 nëntor, pasi ndërtoi në mënyrë të shkëlqyer një koalicion populist konservator shumë-racor. Ky koalicion, i ka rrënjët tek klasa punëtore e Amerikës, tek njerëzit pa universitet, dhe që kryejnë të gjithë punët më të rënda, dhe që me duart e tyre mbajnë në këmbë ekonominë moderne.

Kjo është edhe demografia, që ushqen të djathtën populiste të Evropës. Analizoni çdo lloj sondazhi në zgjedhjet e fundit, dhe do të vëreni të njëjtën gjë: votuesit me më pak arsimim dhe me të ardhura të moderuara që klasifikohen si punëtorë, janë baza kryesore e mbështetjes për partitë ekstremiste si FPÖ në Austri, Tubimi Kombëtar në Francës dhe Demokratët Suedezë në Suedi.

Megjithatë, sistemi maxhoritar në SHBA, nënkupton se ky element nuk mund të qëndrojë i vetëm në zgjedhje. Ai duhet të bashkohet me elementë të tjerë, të cilët në pjesën më të madhe të Evropës, do të ishin parti të veçanta. Falë gjenialitetit të tij, Trump e përzjeu këtë element populist me elementët social-konservatorë dhe ekonomikisht liberalë të tregut të së djathtës së vjetër.

Ky kombinim, solli në Partinë e tij të re Republikane grupime që në Evropë do të përbënin bazën për partitë kristiandemokrate apo të fokusuara tek tregu, si VVD në Holandë. Në këtë drejtim kanë lëvizur edhe evropianët që kanë sisteme zgjedhore gjysmë-maxhoritare.

Koalicioni 4-partiak i qendrës së djathtë të Georgia Melonit, përbën një koalicion tipik Trumpian brenda kontekstit të politikës shumë-partiake italiane, të drejtuar nga personaliteti i liderit. Lideri hungarez Viktor Orbán është një mjeshtër në këtë aspekt.

Aleanca e tij Fidesz-KDNP, i gllabëroi dalëngadalë partitë e tjera që qëndronin në këto hapësira, duke i bashkuar ato në një entitet të vetëm të fuqishëm. Kjo taktikë, dhe jo politikat që kundërshtohen ashpër nga elita në Bruksel, është arsyeja kryesore pse ai ka kaq shumë sukses në politikën hungareze.

Kjo elitë e mban ende pushtetin në një pjesë të madhe të Evropës kontinentale, por po tregon shumë të çara kohë pas kohe. Partitë e qendrës së djathtë, duhet të bëjnë kompromise me qendrën e majtë, diçka që shumë prej votuesve të tyre nuk e pëlqejnë, në mënyrë që të mbajnë një ‘kordon sanitar’ ndaj partive populiste.

Me kalimin e kohës, kjo qasje e rrit mbështetjen për elementët që këto aleanca ‘jo të shenjta’ synonin që të pakësonin. Kjo qasje do të prishet së shpejti, si në Gjermani ashtu edhe në Francë.  Unioni Kristiandemokrat/Unioni Kristian Social (CDU/CSU), duket se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme të Bundestagut.

Por ai do të detyrohet të afrohet ose me Partinë Socialdemokrate (SPD) ose me të Gjelbërit, për ta mbajtur jashtë qeverisë Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë. Kjo do t’i tërheqë ata në kampin e majtë, kulturalisht dhe ekonomikisht, gjë që do t’i bëjë votuesit e tyre më të prirur nga e djathta të kthejnë kokën sërish nga AfD-ja.

Viti 2025 mund të jetë sulmi i tyre i fundit, sidomos nëse AfD e reformon veten ashtu siç kanë bërë shumë parti populiste gjetkë, dhe spastron elementët e saj radikalë duke favorizuar burrat dhe gratë që janë të përkushtuara të qeverisin seriozisht. Franca po shkon drejt një beteje politike të përmasave epike brenda 3 viteve të ardhshme.

Kryeministri francez Michel Barnier, po mbështetet de fakto tek përkrahja e heshtur të Le Pen dhe zëvendësve të saj. Sa më shumë të bëhet e dukshme kjo mbështetje, aq më shumë mbetjet e Partisë Republikane, dikur aq e plotfuqishme, do të pyesin veten pse s’mund të flitet për një aleancë më zyrtare.

Koalicione të ngjashme, ekzistojnë tashmë ose kanë ekzistuar në vendet skandinave. Rezultati nuk ka qenë shkatërrues. Përkundrazi ka ndihmuar në ruajtjen e legjitimitetit demokratik përballë sfidave të mëdha. Prandaj, pyetja për evropianin e zhytur në mendime, nuk është se si të luftohet Trump dhe çfarë përfaqëson ai.

Por si të kanalizohet më e mira e kësaj fuqie në rritje, në një forcë politike të ripërtërirë të qendrës së djathtë. Kjo e fundit do ta prishte me vendosmëri rendin e vjetër që vendosi të djathtën mbi elitat ekonomike. Shumë nga evropianët më të pasur, do të jenë ende në të djathtë, por ata nuk do ta dominojnë më atë.

Përkundrazi, ata do ta ndajnë pushtetin politik me një element autentik konservator, të klasës punëtore, paraardhësit e të cilit votonin dikur për qendrën e majtë. Ky koalicion do të refuzojë politikat e gjelbra, në favor të një angazhimi më optimist për rritjen ekonomike.

Ai do të refuzojë dëshirën e elitës për të balancuar bilancet financiare të Evropës mbi kurrizin e punëtorëve të saj, dhe do të sigurojë që frytet e kësaj rritjeje të përhapen gjerësisht. Nga ana tjetër, ky koalicion do të respektojë aspektet e zakonshme të jetës individuale.

Ai do të pranojë se njerëzit janë më shumë se prodhues dhe konsumatorë: ata janë nëna dhe baballarë; besimtarët dhe jo besimtarë; njerëz që janë krenarë për qytetet dhe kombet e tyre.

Kjo do të thotë të refuzosh idenë e një bashkimi gjithnjë e më të ngushtë, i cili nuk arrin të respektojë diversitetin real që ekziston brenda pjesës përbërëse të tij.

Megjithatë, është në përputhje me krijimin e një bashkimi të vërtetë, që bën atë që është në interes të të gjitha shteteve, dhe ua lë kombeve shumicën e vendimeve mbi çështje të rëndësishme.

Donald Trumpit iu desh gati një dekadë për ta reformuar politikën amerikane sipas imazhit të tij. Një dekadë nga tani, evropianët ka të ngjarë të shohin se ai dhe bashkëpunëtorët e tij evropianë e kanë riformatuar edhe Evropën./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”

trumpizmi evropa

Lini një Përgjigje