TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Tetor 2024, 12:28

Bojkoti nga drejtësia, Fatmir Xhafaj del 'garant': Komisioni im nuk do të cënojë SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Bojkoti nga drejtësia, Fatmir Xhafaj del 'garant': Komisioni im
Fatmir Xhafaj

Kreu i komisionit anti-korrupsion, Fatmir Xhafaj ditën e sotme ka dhënë një konferencë për shtyp në lidhje me punën e komisionit parlamentar Anti-Korrupsion.

Xhafaj ka garantuar publikisht se shtyllat e Reformës në Drejtësi të miratuara në vitin 2016, nuk do të preken në asnjë mënyrë nga Komisioni i tij, që është kritikuar gjerësisht për kapje ose pengesë nga PS për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Në konferencë me gazetarët, Xhafaj tha se socialistët e konsiderojnë Reformën në Drejtësi një nga reformat më të mëdha shtetndërtuese në Shqipëri dhe 8 vite pas zbatimit të saj, lind nevoja për një proces post legjislativ.

"Ne e konisderojmë Reformën në Drejtësi një nga reformat më të mëdha shtetndërtuese. Ne jemi shumë krenarë që kemi realizuar Reformën në Drejtësi. Zbatimi i saj mbetet domosdoshmëri për jetësimin dhe ndarjen e tre pushteteve.

Shtyllat e Reformës në Drejtësi të miratuara në 2016, janë për ne të panegociueshme.

Kanë kaluar rreth 8 vjet dhe është koha që të kryhet procesi post legjislativ nga Kuvendi i Shqipërisë, për të analizuar gjetjet dhe bërë përmirësimet e nevohjshme. Përmes këtij procesi ne synojmë pakthyeshmërinë dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi", u shpreh Fatmir Xhafaj.

Institucionet e drejtësisë dhe disa organizata të shoqërisë civile refuzuan njëri pas tjetrit ftesën për të marrë pjesë me ekspertë në “komisionin antikorrupsion” të drejtuar nga Xhafaj, duke lënë në tryezë vetëm socialistët.

Planet e qeverisë për të replikuar një proces në dukje të ngjashëm me reformën në drejtësi përmes të ashtuquajturit “komisioni antikorrupsion” i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj u futën në krizë kur institucionet e drejtësisë dhe një numër organizatash të shoqërisë civile refuzuan njëra pas tjetrës që të dërgonin ekspertë.

Fillimisht ishte Gjykata Kushtetuese e cila refuzoi pjesëmarrjen, më pas Gjykata e Larta, ILD dhe SPAK-u. Në një reagim thuhet se Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Vendimi është marrë në mënyrë unanime dhe sipas SPAK, nuk është konsideruar e nevojshme pjesëmarrja me ekspertë në këtë komision.

Komisioni parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” e nisi punën në mënyrë të njënashme, pasi Kuvendi miratoi në prill vetëm me votat e Partisë Socialiste ngritjen e tij mbi bazën e një rezolute të iniciuar nga kryeministri Edi Rama.

 

spak fatmir xhafaj

Lini një Përgjigje