“Është shumë zhgënjyese që gara është kaq e ngushtë, duke pasur parasysh se sa ekstreme është bërë retorika e Donald Trump 2 javët e fundit”
Demokratët kaluan edhe një javë tjetër, duke e pyetur veten nëse Kamala Harris e ka ende apo e ka humbur plotësisht vrullin e saj fillestar në këtë garë presidenciale. Një seri gafash nga ana e eksperteve të komunikimit me publikun, u pasua nga lajmet shqetësuese që vijnë nga sondazhet më në fundit.
Sipas Real Clear Politics, Harris është tani prapa Trump në mesataren e sondazheve në shtetet e cilësuara si vendimtare si Michigan, Pensilvania dhe Wisconsin. Një frikë e madhe ka kapluar shtabin elektoral të Harris, dhe “vipat” që shprehin mbështetjen e tyre publike ndaj saj po pakësohen.
Ndërkaq ligjvënësit e shquar demokratë, por edhe media liberale, janë detyruar ta pranojnë publikisht se fushata e saj po lëkundet rrezikshëm, pikërisht në fazën e fundit të saj. Një strateg i Partisë Demokratike e pranoi për portalin The Hill situatën e zymtë: ”Jemi shumë pranë rivalit tonë. Por a është kjo tendenca e përgjithshme? Jo. Dhe askush nuk dëshiron ta pranojë hapur këtë. A jemi ende në gjendje mund të fitojmë? Ndoshta. A duhet të jetë dikush edhe disi optimist sot? Jo”.
Ndërsa disa të tjerë, vunë në dukje se Harris po ndërmerr javët e fundit të fushatës lëvizje të rrezikshme, siç është aleanca me republikanen Liz Cheney apo organizimi i tubimeve elektorale në Teksas, shtet që njihet si një bastion i vjetër i republikanëve. Një strateg tjetër e shprehur hapur shqetësimin: ”Atmosfera aktuale nuk është aspak e mirë!”.
Ekipi i Harris shpresonte ë përfitonte nga një takim elektoral i organizuar nga Anderson Cooper dhe CNN në shtetin e lëkundur të Pensilvanisë. Ky aktivitet, u mendua si një zëvendësues i debatit televiziv, në të cilin Trump refuzoi që të merrte pjesë.
Por ishte paaftësia e Harris-it për të dhënë përgjigje të qarta, si për politikën e brendshme ashtu edhe për atë të jashtme, dhe përgjigjet dalldisëse gjatë diskutimit 90-minutësh, ajo që vuri në mëdyshje edhe panelistët me prirje të majtë të CNN-it.
Strategu veteran demokrat David Axelrod, që ndihmoi në zgjedhjen president të Barack Obamës, dhe që shërbeu si një nga këshilltarët e tij kryesorë, e përmblodhi paraqitjen e Harris si një “takim me një sallatë fjalësh”. Van Jones, një tjetër drejtues i shquar i CNN, i cili gjithashtu ka punuar në administratën e Obamës, ishte në një linjë me Axelrod.
“Fjalë sallatë më shqetëson jo pak”- tha ai prerë në mbyllje të takimit. “Unë mendoj se disa nga shmangiet e përgjigjeve direkte nga Harris mbi disa çështje, nuk janë të nevojshme”-shtoi ai. Dana Bash po e CNN tha se “nëse qëllimi i saj ishte qetësimi i votuesve, këta të fundit nuk janë të sigurt për këtë gjë”.
Madje disa nga përgjigjet e Harris i zemëruan kolegët e saj demokratë, si në rastin kur ajo ra dakord me deklaratën e ish-shefin e stafit të Trump, John Kelly, i cili këtë javë përsëriti pretendimin e tij se ish-presidenti dëshironte të sundonte si një fashist.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams e kritikoi ashpër për këtë qasja në një konferencë shtypi mbajtur të shtunën. “Për këtë çështje, kanë bërë komente disa liderë politikë. Por përgjigja ime është Jo”- tha ai. Adams i kritikoi ashpër krahasimet e Trump me Adolf Hitlerin dhe i kërkoi Harrisit që të zbusë qëndrimin e saj.
“Unë e di se çfarë ka bërë Hitleri, dhe e kam një ide se si është një regjim fashist. Por mendoj, siç e kam kërkuar vazhdimisht, që të ruhet niveli i debatit. Gjykoj se të gjithë mund dhe duhet që të ulim tensionet”- shtoi ai.
Liberalët janë akoma edhe më të dëshpëruar, ku mësuan se intervista e Donald Trump me moderatorin Joe Rogan grumbulloi mbi 17 milionë shikime në YouTube në më pak se 24 orë. Intervista 3-orëshe mbuloi një gamë të gjerë temash, duke përfshirë UFO-t, dosjet sekrete mbi vrasjen e John F.Kennedy, menaxhimin e kufirit dhe ushqimin e shëndetshëm.
Sapo episodi u publikua në platformë pak pas orës 22:00 me orën lindore të premten mbrëma, shifrat e shikimeve u rritën me 300.000 që në 30 minutat e para. Sa për krahasim, paraqitja e Kamala Harris në podcastin “Call her Daddy” me Alex Cooper arriti vetëm 685.000 shikime në dy javë.
Edhe zëvendëspresidentja aktuale duhej të intervistohej nga Rogan, megjithatë një zëdhënës tha se ajo u detyrua të tërhiqej për shkak të “mosmarrëveshjes mbi kohën e intervistës”. Megjithatë, që kur dolën detajet mbi vlerësimet e Trump në sondazhe, shumë liberalë kanë filluar që t'i kërkojnë Harrisit që ta japë intervistën e planfikuar për podcast-erin e njohur.
Në fund, mund të jetë sondazhi i fundit dhe avantazhi i Trumpit në shtetet e lëkundura, ai që do ta nxitë Harrisin të jetë akoma më aktive ditët e fundit. Ajo qëndron prapa Trump në sondazhet e kryera në çdo shtet kryesisht demokrat:Michigan, Wisconsin, Pensilvania, Nevada, Arizona, Karolina e Veriut dhe Georgia.
Biden ishte në gjendje që të fitonte atje në vitin 2020, përveç Karolinës së Veriut, ndërsa humbja në 3 shtetet e Mes-Perëndimit shënoi fundin e garës së Hillary Clinton në vitin 2016, duke e çuar Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Senatori demokrat John Fetterman paralajmëroi në një intervistë për Neë York Times, se mesazhi i Trump po jehonte shumë fort me publikun në Pensilvani.
“Është e habitshme. Një ditë po merrja pjesë në një aktivitet në kontenë Indiana, një rajon shumë demokrat. Aty pashë një dyqan 100 metra të gjatë, që shiste produkte me fytyrën e Trump, bluza, kapele etj”-u shpreh ai.
Fetterman e vlerëson edhe fushatën e Harris, por nuk e fshehu shqetësimin mbi marrëdhënien e veçantë të Trump me shtetin e tij, dhe mbështetjen që po i jep Elon Musk, bosi i Tesla-s. “Ai është njeriu më i pasur në botë. Dhe mbështetja e tij do të ketë vërtet shumë peshë në zgjedhje”-nënvizoi kandidati demokrat.
Një sondazh i Kolegjit Franklin dhe Marshall në Pensilvani, tregoi se Trump është përpara Harrisit, 50 me 49 për qind, në mesin e votuesve të mundshëm. Por midis të gjithë votuesve të regjistruar, zëvendëspresidentja ka ende një avantazh, 48 përkundrejt 44 për qind.
Në një sondazh të veçantë të Kolegjit Emerson, Trump ka 1 për qind, duke sinjalizuar se sa e ngushtë është në fakt gara në Pensilvani. Sondazhi e rendit ish-presidentin të parin me 49 për qind dhe zëvendëspresidenten me 48 për qind. Tre për qind e votuesve, kishin një zgjedhje tjetër ose ishin të pavendosur.
Demokratët e njohur si Jim Manley, që ndihmoi drejtimin e makinerisë së fuqishme politike të senatorit të ndjerë të Nevadës, Harry Reid, thonë se shumë simpatizantë në Nevada janë të zemëruar nga mënyra sesi janë trajtuar gjërat, pasi ata i shohin ende të fitueshme këto zgjedhje.
“Është shumë zhgënjyese që gara është kaq e ngushtë, duke pasur parasysh se sa ekstreme është bërë retorika e Donald Trump 2 javët e fundit”- thotë ai. Teksa Beyonce dhe Michelle Obama, i janë bashkuar së fundmi Harrisit në takimet elektorale, ai shpreson që ato të jenë pjesë e një strategjie për të fuqizuar kandidaturën e zëvendëspresidentes. “Unë shpresoj dhe besoj që ata ta kenë një plan”- shtoi Manley./Përshtati Pamfleti nga “Daily Mail”
Lini një Përgjigje