
Benet Beci ka shkruar historinë në Shkodër. Pas 30 vitesh, kandidati socialist arriti të bindë shkodranët që të votojnë për herë të parë majtas. PS ka fituar në 54 bashki të vendit, por padyshim vëmendja më e madhe ka qenë te Shkodra, bastioni historik i demokratëve. Beci, një figurë jo politike ishte gjetja e ideale. Ai u distancua nga PS dhe doli me projekte konkrete duke premtuar se do ta ringrejë Shkodrën.
Teksa na ndajnë dhe pak kuti nga certifikimi i rezultatit final, Benet Beci ka korrur një fitore mjaft të thellë. Ai është në avantazh me mbi 10 mijë vota më shumë se Bardh Spahia i Shkodrës. Beci ka marrë mbi 32 mijë vota, ndërsa Spahia mbi 21 mijë vota.
Beci dha sot një deklaratë të shkurtër për mediat ku dhe shpalli fitoren në këtë bashki. Beci falenderoi qytetarët për besimin ndërsa theksoi se është ditë e rëndësishme për Shkodrën. Ndër të tjera ai u premtoi qytetarëve, se do të filloj të vendos në zbatim të gjithë, premtimet që ka dhënë.
“Faleminderit për besimin. është ditë e rëndësishme për Shkodrën. Do fillojmë menjëherë punën në Shkodër, ato që kemi thënë do fillojmë t’i zbatojmë shumë shpejt. Faleminderit të gjithëve, vazhdoni punën dhe mbylleni procesin ashtu siç e keni nisur”, tha ai.
Një reagim erdhi dhe nga kryeministri Edi Rama. “Nadja e mir o Shkodër që krejt zemrën ma ke hangër…”, shkruan Rama, ndërkohë ka publikuar edhe këngën e fushatës së Benet Becit.
Këto zgjedhje ishin një shuplakë e fortë për koalicionin Meta-Berisha, pasi morën vetëm 6 bashki nga 61 në total që ka vendi.
Lini një Përgjigje